Edi Rama: Mos u mërzit zoti Dule kur Athina fliste kryesisht shqip, dikur !

              E enjte, 03 Nentor 2016  – Sakte.net  /

Nga Edi Rama

(Fjalimi dhe replikat me kreun e PDBNJ, Vangjel Dule)

Është hapur një debat ndërkombëtar për disa banorë të Himarës, të cilët janë shfaqur të revoltuar për shkak të planit të bashkisë së re për hapësirën publike, pra për një projekt me interes publik në vazhdën e programit të Rilindjes Urbane për Himarën.

Ai qytet sot ka hyrë në rrugën e një transformimi rrënjësor, të dukshëm dhe të prekshëm nga komuniteti dhe nga çdokush që e viziton Himarën pa shoqërinë e Vangjel Dules.

Himara është pa diskutim ndër qytetet më të dërrmuara, nga 20 e kusur vitet e barbarisë së ndërtimeve, qoftë pa leje, qoftë me lejen e ofiqarëve lokalë. Ngrehina, shëmti dëshpëruese që e rrokullisen Himarën, në tatëpjetën e zhvillimit rrënues që përfshiu faktikisht gjithë Shqipërinë, por që i ka cenuar rëndë bukurinë e saj magjepsëse dhe vlerat e paçmueshme të trashëgimisë saj kulturore.

Por siç dihet botërisht Himara nuk është i vetmi qytet që ka hyrë në këtë rrugë dhe as i vetmi qytet ku realizimi i projekteve të Rilindjes Urbane ka kërkuar shpronësime për interes publik apo prishje ndërtimesh pa leje. Shpronësimet e ndërtimeve të paligjshme apo prishjet e ndërtimeve të ligjshme me shpronësim gjatë operacionit transformues të Rilindjes Urbane janë një procedurë rutinë dhe e unifikuar ligjërisht si në Tropojë, si në Himarë. Edhe në Tropojë ka banorë që nuk bien dakord, qoftë me shpronësimin e godinave, qoftë me prishjen e ndërtimeve pa leje që zotërojnë. Por, “çuditërisht” as për banorët e Tropojës dhe as për ata të Burrelit, apo të Bulqizës, as për ata të Beratit apo të Belshit, madje as për banorët e Vlorës nuk kemi dëgjuar të indinjohet ndonjë shtet tjetër dhe të fillojë në një kujë të “ububushme” në mediat e atij shteti, siç ndodh vetëm me Himarën.

Lejomëni t’ju informoj sa për të krijuar një ide se për arsye të realizimit të projekteve urbane vetëm në Vlorë janë prishur me shpronësim, kur kanë qënë të ligjshme ose pa shpronësim kur kanë qënë pa leje, 1657 objekte, gjithfarë soji. Në Tiranë 4828, në Durrës 1025, në Fier 460, në Elbasan 300 dhe kështu kudo, në çdo qytet të vendit tonë. Nga Tropoja ku janë prishur 71 objekte, deri në Konispol ku janë prishur 23 objekte, në zonën e Butrintit, për një total prej 9150 objektesh në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, projekti i ri në Himarë detyron prishjen e vetëm 18 objekteve, ndër të cilat një shtëpi e banuar, një bujtinë tre katëshe dhe pjesa tjetër lavazhe, kioska, magazina të vjetra apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Nga këto vetëm për 6 objekte duhet iniciuar procedura ligjore e shpronësimit. Një shifër mikroskopike në krahasim me volumin e prishjeve në tërësi, 9150 objekte, por dhe të shpronësimeve në rang Shqipërie, që janë qindra, dhe një operacion që në Himarë si kudo mbështetet gjerësisht nga komuniteti. Atëherë ku është problemi? Dikush që nuk e di ku fle lepuri i kësaj ferre që na shfaqet herë pas here nepër këmbë si një ëndërr e keqe, as që mund ta konceptojë dot sesi ka mundësi që një praktikë rutinë të kësaj natyre në Shqipërinë e sotme për 12 ndërtime pa leje dhe vetëm për 6 ngrehina në proces shpronësimi ligjor, të angazhojë një shtet fqinjë me komunikata zyrtare që shprehin kundërshti ndaj Shqipërisë. Deklarata partiake që kërkojnë ndëshkim europian për Shqipërinë dhe pastaj lloj-lloj gazetash, portalesh, historianësh dhe historish që nxjerrin tym fabrikash të antikitetit nacional populist, për të nxirë qeverinë e Shqipërisë, por fatkeqësisht pa e fshehur dot një sëkëlldi të çuditshme ndaj nesh, shqiptarëve dhe këtij vendit tonë të vogël që quhet Shqipëri dhe që kaq shumë ka dhënë dhe ka marrë në historinë e vet në atë vend mahnitës që quhet Greqi.

Çfarë bëra apo thashë unë që të meritoja gjithë atë vëmendje në Greqi gjatë këtyre ditëve?! A ma thotë dot kush që ka dy fije mend në kokë, pse fqinjëve tanë të dashur nuk u erdhi mirë që në një postim shumë miqësor në rubrikën time kulturore, unë përmenda Gjergj Dushmanin, shqiptarin e famshëm dhe të cituar në plot libra historianësh seriozë, të cilin një nga ato rastësitë fatlume të historisë e bëri të gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për ta shpëtuar Akropolin nga bombardimi i flotës veneciane në vitin 1686. Apo mos vallë nuk u erdhi mirë që lexuan aty se në Athinën e asaj kohe flitej kryesisht shqip, çka në fakt nuk e them unë, por nuk ka një historian serioz që nuk e shkruan. Ndërkohë që sa për mua, ky është vetëm një mësim i bukur historie për të gjithë ne, shqiptarët dhe greket e sotëm, që duhet të ndihemi më mirë dhe kurrsesi më keq nën çdo dritë afruese të historisë së gjatë, të fqinjësisë sonë dhe të shembujve të panumërt të shqiptarëve dhe grekëve që kanë ndihmuar vëllazërisht njëri-tjetrin.

Nuk di ta them unë pse duhet të mërziten fqinjët tanë, kur i’u thuhet se në Athinën e një periudhe të caktuar flitej kryesisht shqip, por di të them se unë nuk mërzitem fare, kur më thonë se në Himarë flitet sot edhe greqisht. Kur them se as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinën sot një qytet shqiptar, as e folura greqisht në Himarë sot, nuk ka për ta bërë dot kurrë Himarën një qytet grek nesër.

Unë besoj se e kam mirëkuptimin e plotë të çdokujt në shtetin fqinj, i njohur apo i panjohur, që dashurinë për Greqinë, as e mat me sa shumë e sëkëlldisin shqiptarët dhe as e tregon, duke i quajtur inekzistente disa çështje të së kaluarës së largët apo të afërt mes nesh. Të cilat jo vetëm për ne, por për interesin e përbashkët të së ardhmes së përbashkët të vendeve dhe popujve tanë, janë çështje reale që duhet t’i zgjidhim, pikërisht, nën dritën e shembujve të panumërt të miqësisë, solidaritetit, vëllazërisë që historia e kësaj fqinjësie ka prodhuar mes shqiptarësh apo grekësh, qofshin të njohura apo të panjohura për historinë, por njësoj të udhëhequr nga e mira e përbashkët.

Kam dëgjuar se edhe këtu në këtë mexhlisin tonë ka pasur disa zëra që janë ngritur për t’i dhënë shikueshmëri figurës përkatëse të gjithologut mediatik, në këtë polemikë, përveç zërit të Vangjelit natyrisht që ngrihet vetiu, sikur qoftë dhe në ëndërr t’i dalë një tjegull që bie nga çatia e një shtëpie në Himarë.

Eh, mor miku im i dashur Vangjel, nuk të vë dot faj kur shoh se mjafton që ti ta tregosh ëndrrën tënde me tjegullën dhe gjen në Athinë dëgjues, të cilët janë gati që tjegullën e ëndrrës tënde ta bëjnë provën e krimit të një agresioni të ri antigrek të Edi Ramës, këtij armiku të ri që ti kërkon me çdo kusht t’ia sajosh Greqisë dhe minoritetit grek në Shqipëri për një llogari të vogël sa një kokërr gruri; llogarinë e partisë tënde që po tretet si kripa në ujë, pikërisht sepse ke marrë përsipër të bësh diçka që është në dëm të hapur të marrëdhënieve mes vendeve tona dhe mes shqiptarëve dhe grekëve.

E kujtoni të gjithë, besoj, ishim këtu para ca kohësh, m’u desh të këmbeja replika të nxehta me mikun tim Vangjel për një ngrehinë pa leje në Himarë, e cila në realitet ishte një garazh i ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ku është e vërtetë, kryheshin edhe shërbesa fetare. Ndërsa për Vangjelin në fillim dhe për dëgjuesit që gjeti në Athinë më pas, ishte një tempull vlerash historike dhe kulturore që u shkatërruan nga diktatura e re antifetare dhe antigreke e Shqipërisë. Kjo është e gjitha qesharake! Por në historinë e këtij rajoni që quhet Ballkan, gjërat qesharake janë ato që janë përdorur rëndom si casus belli, për të tjera shkaqe e për të tjera arsye, dhe janë manipuluar rëndom nga njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me interesat e popujve të tyre.

E vërteta sot është se shkaqet dhe arsyet e së shkuarës mes Shqipërisë dhe Greqisë, jo vetëm nuk duhet, por në fakt as nuk mund të përdoren si casus belli, përveçse nga dritëshkurtrit këtu dhe atje, që nuk kanë kurajë dhe as takat të përballen me çështjet e shkuarës, në funksion të ndërtimit të së ardhmes së përbashkët të vendeve tona, të popujve tanë; dy popuj fqinjë dhe miq në zemër të Europës, në një shekull të ri sfidash dhe mundësish të mëdha për rajonin tonë dhe për Familjen Europiane, së cilës bashkërisht i përkasim.

E njëjta tjegull e rënë, në një tjetër ëndërr të Vangjelit dhe e njëjta ferrë që na shfaqet nëpër këmbë si në një ëndërr të keqe, në formën e një kontestimi për Himarën, më ka risjellë këtu për të mbyllur në fakt të njëjtin debat absurd. E këtë herë na ka dalë që banorët e prekur nga projekti i ri i bashkisë së Himarës, në fakt na qenkan deklaruar grekë dhe mund të paraqesin në mbështetje të kësaj deklarate dokumente përkatëse.

Nuk e dëshiroj unë fare të thellohem në këtë temën e shqiptarëve që janë deklaruar grekë, në tërë vitet e vështira të këtij populli pas rënies së diktaturës dhe përgjatë lëvizjes së një pjese të madhe drejt Greqisë. Sepse, kjo është një plagë krejt më vete, të cilën të paktën unë nuk mendoj se duhet ta ekspozojmë në dritën e diellit të së vërtetës. Pasi tek e mbramja, historia e dhimbshme e greqizimit masiv të emrave të shqiptarëve në këtë periudhë të mundimshme të historisë tonë drejt demokracisë dhe Europës, nuk duhet sidoqoftë të lëndojë pa të drejtë, jo ata që e kanë imponuar atë politikë, por popullin vëlla grek, njerëzit e panumërt dhe të mirë të atij vendi, që pavarësisht sjelljes së politikës me shqiptarët e Greqisë, në vitet ‘90 posaçërisht, i mikëpritën dhe i ndihmuan shqiptarët me po atë dashuri dhe solidaritet njerëzor që shqiptarët kanë ndihmuar grekët e mbetur pa bukë gjatë dhe pas luftës sfilitëse italo-greke. Ndërkohë, unë s’mund të mos jem krenar si shqiptar dhe nëse më jepet mundësia të flas si kryeministër i këtij vendi dhe si kryeministër i këtij vendi që as dje, as sot, as kurrë nuk do i thoshte një greku që për të jetuar dhe për të punuar në këtë tokë, duhet të ndërrosh emrin tënd. Prandaj, le ta lëmë me kaq të kaluarën e kësaj historie dokumentesh me emra grekë dhe me mirënjohjen më të thellë, shumë të sinqertë për çdo grek të njohur, apo të panjohur, autoritet publik apo qytetar i thjeshtë i Greqisë që ka ndihmuar shqiptarët e dalë nga errësira e diktaturës komuniste, në një fazë të re fqinjësisë me kufij të rihapur dhe le të kthehemi pak te kjo historia e ditës, ku është thënë se banorët e prekur nga prishja e ndërtimeve na qenkan homogjenë, a thua se himariotët e tjerë janë të huaj, domethënë ardhacakë. Çfarë të thuash për këtë?!

Nuk kam qenë ndonjëherë i tunduar për të marrë rolin e historianit. Dijet modeste të historisë mundohem t’i përdor vetëm për të kuptuar më mirë të tashmen dhe për të projektuar më mirë të ardhmen.

Në fund të fundit historianët duhen për ta shkruar dhe politikanët duhen për ta bërë historinë. Kur i ngatërrojnë rolet, vetëm dëm kanë, qoftë historia, qoftë politika. Por nuk ka nevojë të jesh historian për t’ju referuar historisë në kontekstin e një vështrimi apo debatin politik. Në kontekstin e këtij debati dhe fatkeqësisht të çdo debati në 25 vjet rresht me fqinjët tanë për Himarën, nuk kam dëgjuar asnjëherë të respektohet një fakt; Fakti që personat e përfshirë në këtë çështje, ashtu si njerëzit apo objektet e përfshira në çdo çështje të hapur artificialisht janë gjithashtu shtetas shqiptarë dhe si të tillë i nënshtrohen ligjeve, rregullave dhe normave të këtij shteti, si çdo individ tjetër pa kurrfarë diskriminimi, po pa asnjë lloj privilegjimi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme