Referendumi për kufirin kërkon ndryshimin e Kushtetutës

Kosova mund të shpallë referendum për çështje të caktuara, por nëse pyetja e referendumit bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, atëherë duhet të fillojë procedura për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike kushtetuese. Për ndryshimin e Kushtetutës, nevojitet votimi i dyfishtë, përkatësisht duhen dy të tretat e votave të shumicës së deputetëve dhe dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë.

Çështja e referendumit ishte aktualizuar në Kosovë në dy raste. Fillimisht, në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese për shkak të qëndrimeve kundër të deputetëve nga komuniteti serb, ishte përmendur mundësia e formimit të Ushtrisë së Kosovës përmes referendumit. Kurse së fundmi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngritur çështjen e referendumit që ka të bëjë me ndryshimin e kufirit apo siç e quan ai ‘korrigjimin e kufijve’.

Thaçi ka thënë se referendumi mund të përdoret për t’i pyetur qytetarët e Kosovës nëse ata janë për korrigjimin e kufirit, që do të bashkonte komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë me Kosovën.

Ish-anëtari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, profesori Arsim Bajrami, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se për secilin proces që del jashtë Kushtetutës së Kosovës, duhet që krahas referendumit, të ketë një proces të rishikimit apo ndryshimit të Kushtetutës.

“Kushtetuta e Kosovës përcakton se sovraniteti në Republikën e Kosovës realizohet në dy mënyra, përmes përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, pra Parlamentit, dhe nëpërmjet shprehjes së lirë të vullnetit të popullit, pra referendumit”, thotë Bajrami.

“Kjo do të thotë se referendumi si institucion ekziston dhe është kategori kushtetuese dhe nuk ka asnjë pengesë në Kushtetutë të Kosovës që për çështje të caktuar të deklarohet populli në referendum, por paraprakisht për t’u realizuar referendumi duhet të ketë një Ligj për referendumin që përcakton modalitetet e procesit të zbatimit të referendumit”, thotë Bajrami.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme