I shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, Shefqet Krasniqi nuk do të ushtrojë kërkesë për kompensim të dëmit.
Kështu ka thënë avokati i tij, Sevdali Zejnullahu.
“Është fakt i pakontestueshëm që nuk mund të ketë vlerë e cila do të mund të baraspeshonte me përjetimet të cilat ai dhe familja e tij padrejtësisht i kanë vuajtur qe 4 vite. Megjithatë, z. Krasniqi përkundër të drejtës në parashtrimin e padisë, nuk do të ushtrojë kërkesën për kompensim”, tha avokati Zejnullahu, për Kallxo.com.
Shefqet Krasniqi u shpall sot i pafajshëm nga akuzat për nxitje të urrejtjes, shtytje për terrorizëm dhe shmangie nga tatimi.
Lidhur me këtë vendim të Apelit, avokati Zejnullahu tha se është i drejtë dhe profesional.
“Është vërtetuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje të cilat pretendon prokuroria. Përkundrazi u vërtetua se aktgjykimi i shkallës së parë ishte vendosur mbi bazën e provave dhe fakteve të cilat ishin administruar në Gjykate para një trupi profesional gjyqësor dhe t cilët me kujdes te veçantë kanë vlerësuar e krahasuar ato prova një nga një dhe në tërësi dhe si rrjedhim kanë sjell vendimin i cili e vërteton se z. Krasniqi është i pafajshëm sa i përket pretendimeve të cilat i ngarkonte Prokuroria”, tha avokati.
Po ashtu, mbrojtësi i Shefqet Krasniqit e vlerëson profesional dhe të pandikuar vendimin e Gjykatës, e kjo sipas tij e ngrit besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.