Lidhja Demokratike e Kosovës përgatitet të rikthehet në Kuvend dhe të bëhet pjesë e dialogut

Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] ka bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës për më shumë se dy muaj. Dhe, derisa qëndrimi i tyre dukej i palëkundshëm zhvillimet e fundit politike në skenën vendore duket se do ta rikthejnë partinë që udhëhiqet nga Isa Mustafa sërish në kuvend.

Para disa ditësh, vendin e vizitoi zëvendës-ndihmës sekretari Palmer i cili kishte mesazhe të prera ndaj liderëve të Kosovës. AI madje hapur e tha se iu kishte thënë atyre se duhej të ‘jepnin diçka për marrëveshjen me Serbinë’, dhe se për këtë kishte marrë gatishmërinë e tyre.

Se çka duhet t’i japim Serbisë mbetet enigmë, por ideja më e diskutueshme aktualisht është ajo e ‘korrigjimit të kufijve’ e promovuar në vend aktualisht vetëm nga presidenti Thaçi. Kundër kësaj ideje ka qenë qysh nga fillimi LDK-ja, përjashtuar nënkryetarin e saj Lutfi Hazirin.

Madje, ashpërsia në kundërshtim shkoi deri aty sa LDK-ja që promovonte në vazhdimësi atë që e quante si ‘institucionalizëm’ e ‘frymë rugoviane’ u bë gati të dilte në protesta dhe të braktiste jetën institucionale, siç ndodhi edhe me bojkotimin e seancave të Kuvendit.

Por, nga një ngatërresë e tillë ‘ideologjike’ kjo parti kërkon të shpëtojë përmes një rezolute, të cilën potencialisht mund ta mbështesnin edhe partitë në koalicionin qeveritar dhe PSD-ja, për një rikthim ‘triumfal’ në Kuvend dhe si pjesë e grupit konsensual për dialogun me Serbinë. Rezoluta do ta ndalonte negocimin e kufijve të vendit, por rezolutat e Kuvendit të Kosovës nuk kanë qenë asnjë herë më shumë se listime dëshirash.

LDK-ja ka ndërruar anë shumë shpesh në politikë, dhe një lëvizje të re anë-ndërruese po e përgatit sërish – megjithëse, kërkon të mbulohet përmes një rezolute.

Kjo parti duket tepër sterile dhe e dobët në debatin publik – e paaftë për të argumentuar qëndrimet politike, dhe e paaftë për të argumentuar ndryshimet e qëndrimeve. Ajo tashmë është e përfshirë në një garë të brendshme për pushtet, duke qenë se në vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet për kryetar partie. Por, dinamikat duken të lodhëta. Nga një gabim i vogël në tastierë, ngatërrimi i o-së me i-në [shkronja fqinje], do të formulohej më drejtë akronimi i LDK-së në: Lodhja Demokratike e Kosovës. Një çështje me rëndësi nacionale nuk do të duhej të mbetej peng i luftës së brendshme për pushtet nga grupi i Avdullah Hotit, Vjosa Osmanit dhe të tjerëve.

Sidoqoftë, rikthimi në Kuvend dhe bërja pjesë e një procesi kaq të rëndësishëm si dialogu me Serbinë duhet përshëndetur duke marrë parasysh fuqinë dhe rëndësinë historike të kësaj partie.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme