Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka rreshtuar të gjitha dëmet të cilat i ka shkaktuar Serbia – Kosovës, ku sipas tij po i shkakton akoma dëme të pariparueshme.
Kurti, përmes një konference për media ka thënë se shqiptarët në Luginë janë të shtypur, edhe pse janë më shumë se serbët në Kosovë teksa thekson se kushtet e tyre elementare nuk janë të plotësuara.
“Ekonomia e Kosovës është shkatërruar si pasojë e Serbisë, si nga lufta por edhe mbas luftës.” ka theksuar ai.
Kurti është shprehur se dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga Serbia tejkalon shumën prej 22 miliardë eurosh.
I pari i Vetëvendosjes tha se Serbia ka plaçkitur edhe pensionistët e Kosovës, të cilëve u ka borxh 76 milionë euro, për kontributin e tyre të dhënë para luftës.
Ndryshe, Albin Kurti thotë se ka ardhur koha që Serbisë t’i bëhet një listë ku rreshtohen dëmet që ajo ia ka shkaktuar Kosovës.