Tash e disa javë Prishtina vazhdon të jetë në krye të listës së qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Por përveç kryeqytetit të vendit me këtë problem po ballafaqohen edhe disa qytete tjera, në mesin e të cilave edhe Obiliqi e Gjilani. Njohës të çështjeve të ambientit kanë vlerësuar se niveli i lartë i ndotjes është alarmant, andaj edhe urgjentisht duhet të merren masa për përmirësimin e tij. Ndërsa pulmologët apelojnë te qytetarët që të marrin masa mbrojtëse, në mënyrë që të mos përkeqësohet shëndeti i tyre
Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se kanë ndërmarrë masat e duhura për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Kemi kërkuar të ndalohet përdorimi i thëngjillit nëpër institucione publike dhe është aprovuar kërkesa nga ana e Qeverisë dhe e ka ndaluar përdorimin e saj në të gjitha institucionet publike. Më herët kemi kërkuar prej ministrit të Arsimit ta ndërpresë përdorimin e thëngjillit në shkolla dhe po ashtu këtë vit punëtorët e KEK-ut nuk marrin thëngjill falas prej korporatës, me kërkesën tonë ministri Lluka e ka marrë këtë vendim. Jemi duke kërkuar të bëhet kontroll më i rreptë i cilësisë së derivateve të naftës”, ka thënë Matoshi për “Zërin”.