Në Obiliq më vështirë është ta humbësh pushtetin se sa ta fitosh

E hënë, 07 Nentor 2016  – Sakte.net  /

Intervistë me Hajriz Bekteshi-n nga LDK 

Bisedën e zhvilloi: Ridvan EMINI

 

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk njeh humbje që nga paslufta në disa komuna të Kosovës. Në Komunën e Podujevës, Istogut dhe atë të Fushë Kosovës, ajo vazhdon të jetë lidere e pathyer deri më tani, por një gjë të tillë nuk arriti ta bënte në Prishtinë, Ferizaj e as në Obiliq.

Në Prishtinë, humbi nga një parti e cila nuk njihej si konkurrente e saj në kuptimin e fuqisë (nga VV), po ashtu të njëjtin fat e pësoi edhe në Komunën e Obiliqit, duke humbur nga AAK, e cila po ashtu nuk njihej për një fuqi aq të lartë në këtë komunë.

Gazeta “Bota Sot” ka zhvilluar një intervistë me z.Hajriz Bekteshi-n, ish nënkryetar i Komunës së Obiliqit, i cili e ushtro atë detyrë prej vitit 2002 e deri në vitin 2013, ku po ashtu për një mandat në këtë periudhë kohore ishte kryesues i Kuvendit Komunal. Z.Bekteshi është ndër themeluesit e LDK-së në Obiliq. Nga viti 1990 deri më 1999 ishte anëtarë i kryesisë së LDK-së në këtë degë dhe Kryetar i këshillit të financave në Obiliq, ndërsa nga 1999 e deri më 2014 ishte po ashtu nënkryetar i Degës.

LDK në këtë komunë pësoi një përçarje të brendshme pas humbjes së pushtetit, mirëpo ajo nuk arriti të ri-kooperoj vetën, por ajo përçarje u thellua edhe më tej. Ish kryetari i Komunës së Obiliqit z.Mehmet Krasniqi i cili ishte kryetar i kësaj dege të LDK-së, pas humbjes që pësoi në zgjedhjet e vitit 2014, përveç që nuk lëshoi rrugë për ndonjë alternativë të re brenda partisë, ai vazhdoi që të kap partinë edhe më tej, duke lënë anash themeluesit e saj dhe shumë kontribuues të tjerë, për të vazhduar më tej me një rreth të ngushtë të njerëzve të cilët nuk përfaqësojnë denjësisht anëtarësinë e LDK-së. Në këtë bisedë, Z.Bekteshi ka folur gjer e gjatë si për përçarjen e LDK-së, po ashtu për mundësit që ka kjo parti në këtë komunë, po ashtu ka folur edhe për qeverisjen aktuale, dhe për jetën e përditshme në këtë komunë.

 

Z.Hajrizi ju si ndër themeluesit e LDK-së në Obiliq, njihni fitore të partisë tuaj që nga pas lufta e deri në vitin 2014. LDK për herë të parë humb primatin në ato zgjedhje, dhe a mund të na thoni se si erdhi deri te humbja kur ju udhëheqënit me komunën tuaj?

 

Bekteshi: Meqenëse tash në vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet për pushtetin lokal, ne si LDK në Obiliq nuk jemi të organizuar mirë, andaj unë mendoj që LDK-ja para zgjedhjeve në çdo komunë, jo vetëm në Obiliq, duhet të organizohet, riorganizohet dhe të konsolidohet sipas nevojës që e ka. Kurse te ne në Obiliq, kemi nevojë për një organizim në tërësi, për arsye se vet jemi fajtorë që e humbëm pushtetin. Në Obiliq më vështirë është ta humbësh pushtetin se sa ta fitosh. Pra, ne nuk ditëm të gjendemi dhe kështu që ne si LDK shkuam me një kandidat i cili ishte më i papërshtatshëm se sa kandidatët e partive të tjera, kështu që erdhëm deri te humbja, pra ne nuk ishim sy qelë sa duhet në dhënin e kandidatit për kryetar komune. Mendoj se në LDK, kandidati i cili epet për kryetar komune, por edhe në të gjitha partitë e tjera, duhet zgjedhur njeriu më autoritativ në terrenin e asaj komune. Prandaj, ne nuk ditëm të shikojmë në atë drejtim dhe erdhëm deri te humbja e pushtetit. Kështu që , unë tani mendoj se për zgjedhjet e ardhshme lokale ku ato do të jenë pas një viti, andaj është e drejtë që ne LDK-ja ën Obiliq duhet të organizohemi mirë, sepse tani për tani jemi të ç’thurur në tërësi. Të gjithë personat të cilët janë ithtarë të LDK-së e që janë autoritet në Komunën tonë, nuk janë të përfshirë në asociacionet e ndryshme që e përbëjnë LDK-në, pra që nga kryesia, nëndegë e kështu me radhë, nuk janë njerëzit e zgjedhur adekuat. Si rezultat i kësaj gjendje, një numë i anëtarësisë dhe udhëheqës na u kanë shpërndarë, ndoshta edhe nëpër parti të tjera.

Mendoj se me një organizim të mirë që mund ta bëjë LDK-ja në Obiliq, të gjithë ata të cilët janë larguar do të kthehen gjithsesi sërish në LDK, sepse qytetarët e Obiliqit e donë LDK-në, pra po e përsëris edhe njëherë e donë në mënyrë absolute, atje është vështirë me humb pushtetin, por me fitua nuk është vështirë aspak, po qe se i gjen njerëzit kompetent, pra adekuat dhe autoritativ dhe që e donë të mirën e LDK-së. Me fjalë të tjera njerëz që punojnë në grupe. Pasi që zgjedhjet lokale janë pas nj viti, mendoj se kemi kohë të mjaftueshme që të organizohemi mirë, por gjithsesi duhet të merret edhe pëlqimi i qendrës, sepse qendra e LDK-së duhet të kyçet në këto procese. Qendra besoj se e njeh situatën tonë, dhe me një konsultim me ta do të vijmë deri te një konsolidim i degës ose nëpërmjet një grupi punues ose nëpërmjet zgjedhjeve, por kryesorja është që nëse dëshirojmë që ti fitojmë zgjedhjet, ne duhet të bëjmë një organizim të mirë. Edhe sa i përket kryetarit të degës, duhet të gjejmë një person i cili është unifikues i të gjithë njerëzve, pikësëpari që nuk e injoron askënd, por gjithashtu duhet të gjendet personi adekuat për kandidat për kryetar komune. Personi i cili zgjedhet kryetar i degës së LDK-së, të mos vije në konsiderim që të jetë po ai kandidat për kryetar të komunës. Në praktikë deri më sot e kam parë se po kapet partia, por edhe pushteti, pra nëse dërgohet kryetari i degës për kryetar komune, po kapet si pushteti në komunë po ashtu edhe partia në komunë, dhe si rezultat kemi mospunën, nuk po kryet asnjëri mision. Si për kryetar dege po ashtu edhe për kryetar komune, ata kandidat duhet që së paku 70% e popullatës të i duan për ato pozita. Më vjen keq ta them por, kryetarin aktual të degës së LDK-së në Obiliq nuk e donë as 10%-shi i elektoratit të LDK-së në komunën tonë, sepse mënyra se si është zgjedhur ai është duke selektuar njerëz, ndërsa partia nuk shkon përpara duke selektuar njerëz dhe duke injoruar të tjerët. Ajo përparon në mënyrë kur bëhen organizimet në mënyrë grupore duke formuar grupe punuese ku caktohen njerëz dhe caktohen detyra dhe pastaj shpërndajnë aktivitete në teren. Obiliqit i duhet një riorganizim i partisë, një aktivitet shumë i sinqertë dhe shumëdimensional.

 

Në zgjedhjet e fundit të organizuara brenda LDK-së, a janë mbajtur zgjedhjet edhe në degën tuaj të Obiliqit?

 

Bekteshi: Pikërisht është problemi aty. Pra zgjedhjet e partisë para zgjedhjeve të pushtetit. Pra, Dega jonë pikërisht aty ka marrë rrjedhën nën rrugë. Në zgjedhjet e partisë të organizuara, ne kemi bërë disa zgjedhje, por jo zgjedhje frontale, pra nëse mund të shprehem, në një pjesë të degës pra në disa nëndegë janë bërë zgjedhje, në një pjesë të nëndegëve, pra në disa lokalitete është bërë me vet iniciativën e kryetarit dhe me këtë rast ne kemi mbetur në huti. Grupi i cili i mbajti zgjedhjet  normale dhe nuk erdh në konsiderim që të ofrohet hiq në kryesi të kësaj dege, pasi që në organizim pra në kryesi erdhën ata njerëz që u zgjedhën me allësh-vareshe, dhe natyrisht që ata ishin pak, andaj edhe erdhëm deri tek humbja. Pra, nga kjo që ndodhi, një pjesë e madhe u zhgënjye e sidomos e atyre njerëzve që ishin më autoritativ të degës tonë, andaj edhe interesimi i tyre u zbeh. Vetëm me një angazhim të mirëfilltë, pra jo me ndonjë organizim të tepruar, duke i gjetur njerëzit e sinqertë të LDK-së, ne do ta fitojmë pushtetin dhe nuk bisedohet për këtë çështje. Kjo fitore e AAK-së është vetëm një fitore e rastësishme, sikurse që kanë mundur të jenë edhe partitë e tjera. Në Obiliq duke qenë LDK- e konsoliduar e të fitojnë partitë tjera apo partia tjetër, është vërtet absurde. Mua më ka ardhur keq edhe në qytet kur më kanë pyetur njerëzit se qysh erdhët deri te humbja? Ne erdhëm deri te humbja sepse e humbëm vetë. Prandaj duke pas për bazë këtë, unë mendoj se ne duhet të bëjmë një riorganizim, pra ta fillojmë sa më herët këtë punë, duke i gjetur njerëzit adekuat, sa më autoritativ në mënyrë që të mos kapet partia nga një njeri. Me kapje të partisë dhe të pushtetit, nuk ecet përpara, ecja përpara mundet të ndodh vetëm në mënyrë organizative dhe atë në mënyrë kolektive.

 

Kjo që po thoni ju do të thotë se kryetari aktual i degës së Obiliqit z.Mehmet Krasniqi në zgjedhjet e fundit të mbajtura ka ardhur në krye të partisë jo në mënyrë meritokrate, por me anë të manipulimit?

 

Bekteshi: Ka ardhur në krye të saj jo me anë të votave të nëndegëve, por po them ka ardhur me 20-30 % të tyre, e të cilët janë  njerëz të përzgjedhur të tij.

 

Z.Mehmet Krasniqi, a ka pretendime që të kandidoj sërish për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme, kur dihet se ai ka humbur në zgjedhjet e fundit?

 

Bekteshi: Po, ai ka pretendime, madje ai edhe pas kësaj që ka ndodhur në degën e LDK-së në Obiliq, ai e quan veten kryetar të kësaj dege, pra, këtu është problemi. Pretendimet i ka edhe për kryetar komune, edhe për kryetar dege. Pra, zgjedhjet lokale janë humbur vet nga z.Krasniqi, me këtë rast ai na e ka ulë edhe imigjin e partisë, e kjo është shumë më e dëmshme se sa që është humbur pushteti.

 

Z.Mehmet Krasniqi, a ka ndonjë aktakuzë për keqqeverisje?

 

Bekteshi: Aktakuzë ka, madje ndoshta se ka një por dy apo tre po me sa unë kam parë nëpër portale të ndryshme. Madje e kam parë aktakuzën dhe vendimet, po ashtu i njoh edhe njerëzit me të cilët është në aktakuzë. Pra, edhe në këtë aspekt ne si LDK duhet të kemi kujdes. Pra, njerëzit të cilët janë nën hetime dhe që kanë aktakuza për krime ekonomike apo çfarëdo qofshin ato, ata njerëz nuk duhet ta mbajnë pushtetin e aq ma pak të pretendojnë atë. Ata vet duhet të deklarohen dhe të japin dorëheqje për të lëshuar rrugë njerëzve të sinqertë.

 

Me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, z.Hashim Thaçi, ai kishte deklaruar në ditën e partë të mandatit të tij, se asnjë njeri që ka një bagazh me aktakuza për keqqeverisje, korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk do të mund të jetë pretendent për të qenë udhëheqës i ndonjë komune apo ndonjë institucioni tjetër. A mund të paraqes kjo ndonjë problem brenda degës së LDK-së në Obiliq, kur  kemi për bazë këtë deklaratë të Presidentit?

 

Bekteshi: Jo që paraqet problem, por ashtu duhet të jetë. Këtë nuk mund të themi se e ka thënë vetëm Presidenti Hashim Thaçi, këtë e ka thënë edhe kryeministri, pra kryetari i partisë sonë Isa Mustafa, që njerëzit të cilët janë nën hetime, nën fletë akuza, nën vërejtje çfarëdo qofshin ato që janë gjyqësore apo edhe njerëzore, nuk mund të jetë udhëheqës i ndonjë institucioni. Vetëm atëherë kur ne pastrohemi nga kjo dhe të shkojmë me njerëz të pastër, atëherë mund të shkojmë para. Pra, kjo ide nuk vlenë vetëm për LDK-në, por për të gjitha partitë. Megjithëse dega e jonë  është ajo e cila kërkon riorganizim të mirëfilltë, sepse të gjitha degët e tjera të partisë janë më të konsoliduara. Dega e jonë tani për tani është tërësisht e ç’akorduar.

 

Ç’farë mund të na thoni për qeverisjen e AAK-së me Obiliqin?

 

Bekteshi:  Konsideroj se nuk jam në rrjedha shumë, sepse unë tani më nuk jam në asnjë organ, udhëheqës të LDK-së në Obiliq, por as me ndonjë organ tjetër. Nuk e kam përcjellur gjendjen, pra nuk mund të them se ka ndonjë të metë, por edhe të them se ndonjë prosperitet. Megjithatë ajo që mund të them është se edhe qeverisjen e komunës e kemi nga disa parti. Ne si LDK, kemi disa anëtarë tanë në këtë qeverisje, nga pesë delegat të cilët i kemi në Kuvend, tre nga ta e mbështesin qeverisjen aktuale të AAK-së, ndërsa dy jo. Pra, në njëfarë forme nuk kam të drejt shumë që ta kritikoj qeverisjen aktuale të Obiliqit pasi që jemi pjesëmarrës në atë. Pra, jemi me tre deputet dhe me dy drejtor departamentesh dhe kryesues kuvendi që e mbështesim këtë qeverisje, pra pushtetin në njëfarë forme e kemi të barabartë me AAK-në dhe partitë e tjera të koalicionit.

 

Ju si banorë i komunës së Obiliqit a mund të hetoni ndonjë ndryshim gjatë mandatit të AAK-së për dallim nga ato mandate të udhëhequra nga LDK, ku edhe ju personalisht keni qenë pjesë e qeverisjes, kur dihet se gjatë qeverisjes së LDK-së nga viti 2002 e deri më 2014,  është punuar shumë, edhe pse dihet që Komuna e Obiliqit është njëra prej komunave më të dëmtuara, dhe njëra prej komunave me buxhetin më të ulët, dhe njëra prej komunave që ka ditur të jetë shpeshherë në harresë nga institucionet e qendrore, pavarësisht se kush ka qenë në udhëheqje të tyre? Pra, a mund të na thoni diçka rreth jetës në komunën e Obiliqit, duke pas parasysh mirëqenien, shëndetin, infrastrukturën?

 

Bekteshi:  Pikërisht sa i përket këtyre çështjeve, ne po dëshirojmë që të bëjmë një organizim më të mirë brenda degës së LDK-së në Obiliq. Sepse organizimi ynë, nënkupton organizim edhe të qeverisjes komunale, por edhe të vetë partisë sonë. Njerëzit komunën e Obiliqit e cilësojnë si komunë ndoshta të dorës së tretë, ndërsa unë mendoj ndryshe. Komuna e Obiliqit duhet të jetë komunë e dorës së parë nëse mund të themi kështu. Pse? Në Obiliq është industria më gjigante që ka Kosova, pra aty prodhohet energjia për tërë vendin. Qytetarëve të kësaj komune duhet t’u dilet edhe politikisht, edhe moralisht edhe materialisht në ndihmë. Mund të them se komuna e Obiliqit e ka pas një organizim deri rreth vitit 2010. Deri në atë periudhë ishin përpiluar disa projekte të mëdha, të cilat patën mbetur në realizim e sipër dhe tani me plotë kuptimin e fjalës mund të themi se krejt ky mandati i fundit i udhëheqjes së komunës nuk ka arrit as t’i përfundoj e kam fjalën për LDK-në, që atëherë e tutje u dezorganizua partia. Njëri nga këto projekte ishte ujësjellësi në fshatin Brezhnicë, ku që nga ajo kohë (2010)  kanë mbetur për pesë vite të shtrirë gypat, tek para pesë ose 6 muajsh është përfunduar ai projekt. Edhe kanalizimi për këtë komunë i cili është në gjatësi 22km, si projekt vetëm ka filluar dhe ka mbetur i pa realizuar deri më sot. Dhe si rezultat i mos realizimit të këtij projekti të gjitha mjetet janë kthyer Qeverisë sërish. Pra, as nuk e ka realizuar qeverisja e fundit e LDK-së, e as kjo e udhëhequr nga AAK.

Pra, LDK në njëfarë forme punoi kundër vetvetës në Obiliq dhe jemi ku jemi, ndërsa si rezultat kemi ngecje si në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, me një fjalë në Obiliq grumbullohen të gjitha dëmet pasi që është një vend industrial, ku nxirret thënxhilli, dhe pa dyshim mund të them se ajri në këtë komunë është i ndotur tej mase, dhe mund të jetë pa dyshim ajri më i ndotur në tërë Evropën, sepse për Ballkan nuk ka dyshim. Këtë qështje ne e kemi potencuar me dhjetëra vite, dhe jo që e din e tërë Kosova, por egjithë Evropa e dinë se Obiliqi është vendi më i ndotur. Prandaj, Obiliqit duhet t’i ipet një rëndësi e vecantë sa i përket zhvillimit të ambientit dhe infrastrukturës dhe si të tilla këto janë edhe determinuese të njëra tjetrës.

Si të arrihet deri te kjo?

 

Bekteshi:  Mjafton që të organizohet LDK në nivelin më të lartë të mundshëm, gjë që do të sillte fitore të pushtetit. Nëse arrin të organizohet LDK, është alfa dhe omega për një zhvillim të Obiliqit.

 

Ju nuk po shihni konkurrent as nga AAK, as nga PDK, as nga LB?

 

Bekteshi: Jo, nuk shohim ndonjë konkurrent nga asnjëra parti. LDK është dominante gjithmonë në Obiliq. Mjafton që ne të konsolidohemi pak, dhe fitorja është e gatshme.

 

Ç’farë mund të na thoni ju si parti e cila jeni pjesë e asamblesë komunale, cili është kontributi i juaj në projektligjin për Obiliqin, i cili ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ka stagnuar në leximin e dytë për shkak të bllokadës së Kuvendit?

 

Bekteshi: Ai projekt ligj nëse aprovohet është interes i yni. Mirëpo, për aprovimin e këtij ligji duhet të jemi më të gjerë sa i përket situatës, sepse ligj të vecant për komuna do të kërkojnë edhe komunat e tjera, në rast se bëhet ligji për Obiliqin, pra mund të kërkoj edhe Drenasi i cili po ashtu ndotet nga Feronikeli, Hani i Elezit po ashtu mund të kërkoj, etj. mirëpo, në rast se bëhet ky ligj, do të jet një precedent i mirë edhe për komunat e tjera dhe do të ketë reagime të ndryshme. Por, ajo se cfarë mendoj unë është se Obiliqi duhet të ndihmohet në forma të tjera. Pra Obiliqi duhet të marr 3-5% nga ekspoatimi i thënxhillit të nëntokës së Obiliqit. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, komuna e Obiliqit do të shëndrrohej në metropol. Por një gjë e tillë është vështirë të ndodhë, pasi që Komisionit për Miniera dhe Minerali i ipen nga 2.5 milion euro në vit, e komunës tonë asgjë. Por, ka shum forma që komuna e Obiliqit të subvencionohet dhe të prosperon. Obiliqi nëse nuk është për një ligj specifik, duhet të jetë për disa kushte specifike.

 

Ç’farë mund të na thoni nëndegëve të LDK-së në komunën tuaj, pavarësisht problemeve që po shfaqen nga kryetari aktual i LDK-së në Obiliq z.Krasniqi dhe kuazi kryesia aktuale e saj? Cili është organizimi i tyre aktual, sa janë të gatshëm ato që të hyjnë për miratimin e një kandidati potencial për kryetar komune i cili i plotëson të gjitha ato kritere që LDK të menaxhoj me komunën tuaj?

 

Bekteshi: Niveli organizativ i LDK-së është nëpër nëndegë. Dega e LDK-së në Obiliq i ka 21 nëndegë. Te gjitha kanë vullnet të jenë të organizuara, por nuk janë asnjëra të organizuara. Arsyeja pse ato janë të pa organizuara është se ato donë një kandidatë më të mirëfilltë, më të sinqertë, pra një kandidat i cili është më i afërt me qytetarët. Kryetari duhet të jetë i orientuar mirë, të ketë marrëdhënie dhe marrëveshje me të gjitha nëndegët. Por, sot si jemi ne mund të themi se nuk kemi nëndegë fare, përveç  katër apo pesë nëndegë të cilat janë të përfshira edhe atë me  mund të themi se janë në mënyrë selektive. Asnjëra prej degëve të mëdha nuk është e kyçur në vendimmarrje. Konsideroj se kyçje në vendimmarrje në parti duhet të jetë ajo ku masa e zgjedh përfaqësuesin e vet dhe ai përfaqëson ata dhe fjala e tij nxë vend. Mund të them se në këtë drejtim ne jemi katastrofë, dhe po qe se vazhdojmë në këtë mënyrë, nuk kemi se s’ka hyjmë në zgjedhje.

 

Z.Bekteshi, a keni menduar për ndonjë anëtarë i cili i plotëson të gjitha këto kritere  të nevojshme për të qenë një kandidat i cili edhe mund të qeveris me Obiliqin?

 

Bekteshi: Unë personalisht nuk kam menduar për ndonjë emër konkret, sepse mendoj dhe e kam princip në jetë që të punoj me grepe punuese dhe assesi në mënyrë individuale. Nuk e kam menduar që të jap ndonjë emër, por nuk kam as të drejtë e as guxim njerëzor ta bëjë një gjë të tillë, thjesht për arsye se mund të bëhem i njëanshëm. Një gjë të tillë mund ta bëjë një grup punës, dhe atij grupi punues t;i lihet në dispozicion, me kusht që të zgjidhet personin i cili nuk e ka as një vërejtje dhe i cili nuk ka qenë asnjëherë i sfiduar në çështjet e pushtetit apo gjyqësisë.

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme