E martë, 08 Nentor 2016 – Sakte.net /
Kosova nuk mund ta krijojë ushtrinë e saj derisa të lirohet nga kushtëzimi që po ia bën Serbia në votimin e ligjit i cili bën transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Kështu ka thënë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Besfort Rrecaj.
Më tutje Rrecaj duke folur rreth anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian ka thënë se Kosova ka çaluar në disa çështje të cilat e dërgojnë atë drejt familjes evropiane, shkruan sot, gazeta Zeri.
Ndër proceset, i cili është gozhduar sipas Rrecajt është liberalizimi i vizave. Sipas tij, kriteri i vendosur nga BE-ja për demarkacionin duhet të riformulohet sepse ky kusht për viza përbën një padrejtësi karshi Kosovës, për shkak se asnjë vend nuk ka pasur kriter të tillë.
Ndërkohë një tjetër proces që vendi ynë ka çaluar, sipas profesorit, është edhe dialogu Kosovë – Serbi. Përkundër kësaj ai ka konsideruar se dialogu duhet të vazhdojë, pavarësisht sjelljeve të Serbisë që të mos lejohet përfundimi i tij.
‘Procesi i liberalizimit të vizave duket se është duke çaluar për arsye të caktuara. Dhe unë mendoj se në këtë proces ndërlidhen dy kritere shumë të rëndësishme, të cilat i ka vendosur Bashkimi Evropian dhe të cilat duket se kanë hasur në gozhdë dhe që momentalisht janë të pakalueshme. Njëra ka të bëjë me demarkacionin dhe tjetra ka të bëjë me luftimin e korrupsionit dhe përgjithësisht luftimin e krimit të nivelit të lartë. Për çështjen e demarkacionit, BE-ja duhet të jetë më fleksibile duke marrë parasysh relacionet politike, të cilat janë krijuar sa i përket procesit të demarkacionit dhe sa i përket këtij kriteri BE-ja duhet ta relaksojë këtë kriter. Sa i përket kriterit të dytë me luftimin e korrupsionit, problematika është tek dhënia e rezultateve për luftimin e korrupsionit dhe koha që duhet për plotësimin e këtij kriteri’, tha ai. /Zeri/