Ahmeti s’e ka ndërmend të dorëhiqet nga Komuna

Shpend Ahmeti thotë se nuk e ka ndërmend që të japë dorëheqje nga posti i të parit të Prishtinës, për shkak të angazhimeve që ka marrë në bashkëdrejtimin e Ekipit të Kosovës, në dialogun me Serbinë.

I pyetur se si do t’i dalë që të merret edhe me dialogun edhe me Prishtinën, në “038” të KTV-së, Ahmeti ka thënë se “ashtu si po ia del aktualisht”.

“Unë jam në zyrën time të kryetarit të Prishtinës. Përditshmërinë e kam me Komunën e Prishtinës. Dukagjin Gorani e Visar Ymeri do të kenë më shumë kohë që të merren me punën e përditshme të dialogut”, ka thënë Ahmeti, teksa është zotuar se do t’i kryejë të gjitha 100 zotimet që i ka premtuar në fushatë zgjedhore, në fund të mandatit të tij.

I pyetur se si i komenton zërat opozitarë në Prishtinë që i kërkojnë atij dorëheqjen, Ahmeti ka thënë se “ata mezi s’presin me reagu e me kërku dorëheqjen”.

“Nuk jap dorëheqje. Patjetër do të jem kryetar”, ka thënë Ahmeti.

“038” kishte raportuar në fillim të dhjetorit se opozita e shihte të dëmshme për kryeqytetin që Ahmeti të merret me dialogun.

Lëvizja Vetëvendosje, e quante ambicie të sëmurë për të bërë karrierë, derisa, zyrtarë të saj e krahasonin me presidentin Hashim Thaçi.

“Me largimin nga Vetëvendosje e ka kapur një ambicie e sëmurë e karrierizmit, ku, për një kohë kaq të shkurtër, dëshiron që shumë pozita t’i mbajë. Është bërë kryetar i një partie përderisa ka qenë edhe kryetar i Prishtinës, tash dëshiron që të bëhet pjesë edhe e koalicionit qeverisës në koalicion, jo si opozitë, pasi ai tash e një kohë veç po ju shërben me politika qeverisëse pozitës dhe jo opozitës. Mirëpo, këto ambicie kaq të sëmura i ka pasur vetëm Hashim Thaçi derisa ka ardhur në pushtet, është bërë kryeministër, ka marrë dialogun”, kishte thënë Eman Rrahmani, asamblist i LVV-së, Prishtinë.

Rrahmani thotë se kjo situatë i intensifikon përpjekjet e LVV-së për të kërkuar që Ahmeti të japë dorëheqje.

“Kjo veç se e shton edhe angazhimin tonë për të kërkuar që të dorëhiqet ose për të shikuar mundësinë e organizimeve të ndryshme për ta larguar sa më shpejt një qeverisje të tillë kaq të dëmshme për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë ai.

Rrahmani thotë se, nëse Ahmeti vazhdon me këtë ambicie, qytetarët duhet të mobilizohen me peticione dhe protesta ta largojnë atë nga pozita e kryetarit.

Asamblisti i Vetëvendosjes deklaron se organizimi i mundshëm i protestave kundër Ahmetit ende nuk është diskutuar në organet e partisë.

Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) thonë se mbajtja e dy pozitave është shumë e vështirë për Ahmetin.

Kjo parti opozitare vlerëson se ai është ngopur me qeverisjen e kryeqytetit dhe po dëshiron që, përmes dialogut në Bruksel, të gjejë një rrugëdalje.

“Si duket, Shpend Ahmeti është ngopur me Prishtinën, e ka parë që nuk mund të bëjë asgjë më shumë dhe ndoshta kërkon një rrugëdalje, sepse, përndryshe, të jetë kryetar i kryeqytetit dhe të merret me çështje tjera që janë punë që kërkojnë udhëtim, mund, është tepër e vështirë”. “Dorëheqja e Shpend Ahmetit është shpëtim për Prishtinën. LDK-ja është e gatshme të hyjë në garë për kryetar të komunës. Nëse vjen deri te zgjedhjet e reja LDK-ja është e gatshme që ta fitojë Prishtinën”, ka thënë Shefki Gashi, asamblist i LDK-së, Prishtinë.

Dorëheqjen, Ahmetit po ia kërkojnë edhe njohësit e zhvillimeve në kryeqytet, pasi vlerësojnë se situata në komunë vetëm se po shkon duke u përkeqësuar.

“Ai ka marrë votat e qytetarëve dhe, ndonëse është akuzuar nga shumë votues të tij për tradhti, tash po na del edhe kjo risia tjetër e cila po e dërgon atë në krye të ekipit negociator. Situata po shkon duke u rënduar dhe Ahmeti duhet ta marrë një vendim sa më parë në parim që ta lërë komunën”, ka thënë Salie Gajtani – Osmankaq, gazetare në “Koha Ditore”.

Gajtani – Osmankaq thotë se gatishmëria e Ahmetit për t’u bërë kryenegociator në kohën kur komuna po përballet me probleme të shumta, vë në dyshim punën e tij për kryeqytetin.

“Në një kohë kur këto telashe janë kaq të mëdha në komunë, Ahmeti të pranojë që të bëhet kryenegociator me Serbinë, vërtetë vë në pikëpyetje shumë pozitën e tij dhe punën që do të mund ta bëjë në komunë. Edhe unë jam shumë skeptike nëse do të mund t’i mbajë të dy pozitat, ndonëse Ahmeti nuk është bërë kryetar komune për t’u bërë edhe kryenegociator”, ka thënë ajo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme