Në Shqipëri, një nga emrat më të lakuar të botës së krimit, Klement Balili u dorëzua sot pranë autoriteteve policore shqiptare, duke përfunduar kështu në pranga pas më shumë se dy vitesh, përgjatë së cilave ai i ishte fshehur drejtësisë.
Balili konsiderohet si një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në Ballkan, ndërsa rrjeti i drejtuar prej tij mësohet se vepronte dhe në disa shtete europiane, kryesisht në Greqi.
“Zëri i Amerikës” ka mësuar se prej gati një viti policia shqiptare, përveç veprimeve operative, kontrolleve në banesa apo mbajtjes nën mbikqyrje të familjarëve kishte nisur bisedimet dhe me familjarët, duke nxitur dorëzimin e Balilit pranë autoriteteve.
Këto bisedime mësohet se janë drejtuar nga kreu i Policisë shqiptare Ardi Veliu. Eshtë pikërisht zoti Veliu personi të cilit Balili iu dorëzua sot rreth orës 9.45 minuta në një zonë mes Sarandës dhe Finiqit.
Ai ka qenë i shoqëruar nga dy familjarët të tij, personat që kanë bërë dhe ndërmjetësimin për dorëzimin. Ka qenë po Drejtori i Policisë Veliu, ai i cili e ka sjellë Balilin në Tiranë.
“Balili kishte dy kushte për vetëdorëzimin. Së pari që mos të keqtrajtohej dhe që të deklarohej vetedorëzimi. Jam kontaktuar nga familjarët pas 3 muajsh negociata. Shkova personalisht me një makinë shoqëruese”, tha Veliu.
Kurse ReportTV thekson se Balili ka vendosur tre kushte: mosekstradimin në Greqi, proces të drejtë dhe kushte të mira në qeli.
Kurse Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në fjalën e tij për dorëzimin në polici të “Eskobarit të Ballkanit”, ka dhënë dhe një mesazh për personat që kërkohen nga drejtësia.
“Kam edhe një mesazh të qartë nga dita e sotme: Rruga e vetme, e arsyeshme, që mbetet për të gjithë ata që janë vënë përballë ligjit është vetëm bashkëpunimi me drejtësinë. Një tjetër rrugë më të mirë për ta nuk ka dhe nuk mund të ketë!”, ka thënë ai.
Ndërkohë që i pyetur se çfarë i kanë ofruar Klement Balilit, ministri ka dhënë një përgjigje të shkurtër, teksa pohoi se Klemend Balili ka marrë siguri për një proces të drejtë ligjor.
Nuk dihet nëse me fjalën bashkëpunim ministri Sandër Lleshaj nënkupton që Klemend Balili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë shqiptare dhe për rrjedhojë do të përfitojë një dënim të lehtësuar.