Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i ishte vështirësuar shumë kryerja e veprimtarive të përditshme në fund të vitit 1997.
Kryeministri i asokohshëm i vendit, Bujar Bukoshi, kishte ndalur financimin e veprimtarive shtetërore.
Lidhja Demokratike e Kosovës, parti që udhëhiqej nga Rugova, kishte kërkuar zgjidhje në Gjermani.
LDK’ja kishte nisur një kërkesë (të cilën mund ta lexoni të plotë në fund të këtij artikulli) në adresë të nëndegës së partisë, në qytetin e Ahenit, për huazim të mjeteve financiare.
“Për shkak të bllokimit të financimit të veprimtare shtetërore në Kosovë nga ana e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, kryerja e veprimtarive të përditshme është vështirësuar në skajshmëri”, nis letra e LDK’së, adresuar kreut të nëndegës së LDK’së në Ahen, Marjan Tunaj.
“Në konsultim dhe me pëlqim të Kryetarit të Republikës, po u drejtohemi me kërkesë për huazim të mjeteve financiare, përderisa përmes institucioneve nuk bëhet debllokimi i mjeteve financiare për organet shtetërore në Kosovë”, thuhej në letër.
LDK’ja e Kosovës kërkonte nga LDK’ja e Gjermanisë 200.000 marka gjermane, për t’i tejkaluar problemet.
“Është propozuar që mundësisht të na huazoni 200.000 DM, mjete këto të grumbulluara për blerjen e zyreve të Republikës së Kosovës në Bon”, kërkonte LDK’ja.
“Kjo do të ndihmonte të tejkalohen problemet themelore të funksionimit deri në përfundim të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, dhe njëkohësisht do të bënim debllokimin e linjave telefonike të Kabinetit të Kryetarit dhe shërbime të tjera”, përfundonte letra.
Kjo letër, e datës 24 dhjetor 1997 ishte nënshkruar nga zyrtarët e Komisionit për Financa të Presidencës, Naip Zeka e Fatmir Sejdiu, ndërsa vërtetohej edhe nga nënshkrimet e nënkryetarit të LDK’së, Fehmi Agani, dhe të sekretarit Rexhep Gjergji. /Express/