Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar vazhdimin e grevës edhe me muaj, nëse nuk plotësohen kërkesat.
Jasharaj deklaroi se duhet të ndryshojë çasja e institucioneve ndaj grevës, duke shtuar se pjesën më të madhe të fajit e ka Ministria e Arsimit.
I pari i SBASHK-ut u shpreh se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Greva do të vazhdojë deri në momentin kur çështjet të rregullohen siç duhet. Greva vazhdon, pasi qasja e institucioneve nuk është siç duhet, duke filluar nga MASHT-i. Nuk kemi kundërshtime me Qeverinë, përplasjet i kemi me MASHT-in pasi vlerësojmë që nuk është angazhuar sa duhet për t’i mbrojtur mësimdhënësit. I kemi alarmuar me kohë, se Ligji është shumë i dëmshëm për arsimtarët”, deklaroi Jasharaj për Telegrafin.
Duke folur për ofertën e Qeverisë për rritjen e pagave për 20 milionë euro në vit, kryetari i Sindikatës tha se oferta i ka dy probleme.
Sipas tij, ajo është e vogël krahasuar me kërkesat e mësimdhënësve. Dhe e dyta, që nuk i ka përfshirë të gjithë sektorët.