Të buzëqeshur, e duke shtrënguar duart më njëri-tjetrin, dy partnerët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli, gjatë fushatës zgjedhore në qershor të 2017-s, patën premtuar rritje të pagave për mësimdhënës prej 30 për qind, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rritje të pagave iu premtuan edhe punëtorëve shëndetësorë dhe punonjësve të tjerë në sektorin publik. Haradinaj premtimet i vazhdoi edhe me ardhjen në krye të ekzekutivit. Por pak javë pasi mori mandatin e kryeministrit, ai mori një vendim që nxiti kritika dhe pakënaqësi. Ia dyfishoi pagën vetes dhe vartësve të tij. Nga 1.500 euro, ai e ngriti pagën e vet në 2.950 euro, apo 100 për qind. Nga vendimi përfituan 5 zëvendëskryeministrat, 21 ministrat, mbi 80 zëvendësministra, këshilltarë e staf tjetër mbështetës. Ky vendim bëri që t’iu rriten pagat në mënyrë automatike edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Por favorizimi material i disa kategorive ka bërë që Qeveria gjatë vitit që lamë pas dhe këtij fillimviti të vërshohet me kërkesa për rritje të pagave. Mospërmbushja e kërkesave për rritje pagash nxiti sektorë të ndryshëm publikë të futen apo të paralajmërojnë hyrjen në grevë. Kërkesat u shtuan në kohën kur Kuvendi pritet që të miratojë Projektligjin për paga, me të cilin synohet “pagë e njëjtë për punën e njëjtë”.
Ky projektligj ka ngjallur pakënaqësi të shumta tek sindikalistët, shkaku i rritjes së hendekut mes kategorive të sektorit publik. Grevat në arsim, shëndetësi dhe të tjerat që janë paralajmëruar janë lidhur direkt me këtë projektligj, i cili sipas sindikalistëve krijon ndasi e jo barazi ashtu siç ishte menduar në fillim.
Këto greva, sipas njohësve të çështjeve sociale, mund të paralizojnë sektorin publik nëse vazhdojnë me këtë ritëm. Kjo situatë, sipas tyre, ka ardhur shkaku i një ekzekutivi të pangopshëm, i cili ka për qëllim vetëm ngopjen e apetiteve të veta dhe klientelës së vet dhe nuk mendon për mirëqenien e shtresave të tjera.