E mërkurë, 09 Nentor 2016 – Sakte.net /
Gazeta The Independent ka shkruar një listë prej dhjetë premtimeve të cilat Donald Trump është zotuar ti përmbushë qysh në ditën e parë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shfuqizimi i “Obamacare”
Edhe pse kjo politika për shëndetësinë “Obamacare” njihet si një ndër sukseset më të mëdha gjatë presidencës së Barack Obama, Trump ka potencuar se do ta shfuqizojë, me ç’rast do të linte më shumë se 22 milion amerikanë pa mbulime të shpenzimeve shëndetësore.
Pastrimi i Departamentit për Veteranët nga korrupsioni
Trump gjatë kampanjës së tij ka shpalosur planin e tij 10-pikësh që përfshinte largimin nga puna të nëpunësve të korruptuar të Departamentit për Veteranët.
Heqja e “gun-free” zonave
Trump është zotuar se do ti heqë zonat e përcaktuara si “gun-free zones” në të cilat ndalohet bartja e çdo arme, qoftë ajo edhe me leje të vlefshme. Ai ka thënë se do ta heqë këtë ndalesë edhe në shkolla.
Tërheqja e marrëveshjes tregtare TPP
Trump ka premtuar se nëse do të zgjedhet president, do të tërheq marrëveshjen tregtare për Partneritet Ndër-Pacifike e cila përfshin 12 shtete, por e cila ende nuk është ratifikuar nga Kongresi.
Kërcënimet ndaj shteteve tjera
Retorika anti-emigrante që ka përdorur Trump gjatë fushatës zgjedhore ka bërë të duket sikur ai ka kërcënuar shtetet tjera nga të cilat emigrojnë njerëz në SHBA.
Bllokimi i refugjatëve sirianë
Duke e konsideruar krizën me emigrantë si një “Kalë i Trojës” në të cilin fshihen xhihadistët dhe ekstremistët islamikë, ai ka deklaruar se nuk do të ngurronte ti dilte përpara një fëmije sirian dhe ta ndalonte që të hyjë në Amerikë.
Deportimi i miliona njerëzve nga Amerika
Trump ka deklaruar gjithashtu se do ti deportojë me miliona njerëz nga Amerika të cilët nuk kanë dokumentet e nevojshme për të qëndruar dhe jetuar në Amerikë.
Ndërtimi i murit të madh
Një nga premtimet elektorale më kontraverze të Trump ishte edhe ndërtimi i murit në kufi me Meksikën për të ndaluar emigrimin e paligjshëm.
Mposhtja e ISIS
Trump është zotuar se do ti kushtojë rëndësi të madhe çrrënjosjes së ISIS.
Ta bëjmë Amerikën të madhe prapë
Ky ishte edhe premtimi kryesor të cilin e vendosi si sllogan të kampanjës së tij zgjedhore.