Nënkryetari i NISMA-së për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë se se heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies së saj inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën, raporton Gazeta Blic.
Sherifi përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se Kosova që nga shpallja e Pavarësisë së saj është duke u përballë me agresion të vazhdueshëm të Serbisë.
“Heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën! Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi bazë të propozimit gjithpërfshirës të Martti Ahtisaarit, Kosova, përballë agresionit të vazhdueshëm të Serbisë, ka ndejkur rrugën e lëshimit pe, rrugën e ikjes nga ballafaqimi duke mos i mbrojtur interesat e saj ashtu siç do t’i mbronte çdo shtet tjetër i pavarur dhe sovran!”, ka shkruar Sherifi.
Ai ka shkruar se qoftë pezullimi, qoftë heqja e taksës 100% pa u hequr asnjë nga arsyet që e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës për ta marrë këtë vendim, është kthim mbrapa.
“Prandaj, qoftë pezullimi, qoftë heqja e taksës 100% pa u hequr asnjë nga arsyet që e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës për ta marrë këtë vendim është kthim mbrapa, kthim në rrugën e vjetër, në rrugën e konçesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë, rrugë e cila është dëshmuar si e gabuar!” ka vazhduar tutje ai.
Sipas tij, “ndjekja e rrugës së vjetër sjellë rezultatin e njetë”
“Madje, ajo rrugë vetëm sa do ta trimërojë Serbinë të vazhdojë me intenzitet të shtuar agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën! Nëse do të më duhej të zgjidhja mes qortimit nga SHBA-të për shkak të mos heqjes së Taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, apo nënshtrimit ndaj Serbisë duke hequr taksën pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, pa u menduar fare do të zgjidhja të parën!”