Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe rreth 110 mijë studentë në Kosovë kanë hyrë në javën e tretë që nuk janë duke vijuar procesin mësimor, si pasojë e grevës së mësimdhënësve.
Mësimdhënësit vazhdojnë të jenë këmbëngulës në realizmin e kërkesës së tyre për rritjen e koeficientit të pagës prej 30 për qind.
Por, shqetësuese për prindërit mbetet fakti se si mund të kompensohen orët e humbura të mësimit.
Sipas Udhëzimit Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019 thuhet se për çdo ndryshim të kalendarit, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (MASHT) merr vendim të veçantë.
Kurse në Ligjin për arsimin parauniversitar në Kosovë thuhet se “Ministria duhet të nxjerrë akte nënligjore lidhur me: kalendarin shkollor dhe periudhën kohore të vitit shkollor në kuadër të Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës dhe kohëzgjatjen e orës së mësimit dhe pushimeve shkollore ose festat”.
Valmir Gashi, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të grevës, Ministria do të ftojë drejtorët e drejtorive komunale të arsimit dhe në koordinim me ta do të vendoset se cilat janë ditët apo koha më e përshtatshme për të zëvendësuar orët e humbura.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çdo orë e humbur mësimore, do të kompensohen.
Greva e punonjësve të arsimit ka filluara më 14 janar, kur pritej të niste gjysmëvjetori i dytë në institucionet parauniversitare, pas pushimit dimëror.
Kurse sot (e martë) është dita e 12 që nuk vijon procesi mësimor.
Në bazë të udhëzimit të MASHT-it, nxënësit e shkollës së mesme të lartë-maturantët janë të obliguar të mbajnë 160 ditë mësim ose 32 javë. Nxënësit e klasës 9,10, dhje 11 janë të obliguar me 175 ditë mësim ose 35 javë. Kurse nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parashkollorë, janë të obliguar me 184 ditë mësim ose 37 javë./rel/