Është thelluar përçarja mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për shkak të taksës ndaj importeve serbe.Edhe pse nuk ka treguar nëse Qeveria të cilën e drejton po shkon drejt shpërbërjes, Haradinaj sërish ka folur për afatet jashtëkushtetuese të zgjedhjeve, teksa i ka ndërlidhur me rezistencën për taksën, shkruan sot Koha Ditore.Haradinaj e ka shpërfillur propozimin e Veselit për pezullimin e taksës duke insistuar se vetëm kushtet e tij për heqjen e taksës përbëjnë qëndrimin e vetëm zyrtar të Qeverisë, edhe nëse vendorët apo ndërkombëtarët kanë problem me të.
Të martën, u ka dërguar një letër kryeministrave të botës, ku ka shpjeguar se cenimi i territorit të Kosovës në dialog me Serbinë është i papranueshëm. Ndërkaq presidenti Thaçi, në letrën që ia ka dërguar presidentit amerikan Donald Trump, ka shfaqur gatishmërinë t’i bëjë kompromiset e nevojshme me Serbinë.Kryeministri Haradinaj gjithnjë e më shumë ka nisur të flasë për zgjedhjet e parakohshme. Sipas tij, edhe nëse Qeveria rrëzohet tash, taksa do të mbetet në fuqi deri në qershor.