Parlamenti Evropian e njohu presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido, si udhëheqës de facto të këtij shteti, duke rritur kështu presionin ndërkombëtar mbi presidentin socialist të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Ligjvënësit e BE-së votuan me 429 vota për, 104 kundër dhe 88 abstenime në një sesion të posaçëm në Bruksel.
Ndonëse votimi nuk është i obligueshëm, Parlamenti Evropian, përmes një deklarate, kërkoi nga 28 qeveritë e BE-së ta konsiderojnë Guaidon “të vetmin president të përkohshëm legjitim” derisa të ketë “zgjedhje të reja presidenciale në Venezuelë, të lira, transparente dhe të besueshme”. Guaido është vetëshpallur president javën e kaluar, pas protestave masive kundër Maduros, raporton REL.
Maduro ka nisur këtë muaj mandatin e dytë gjashtëvjeçar, por zgjedhjet, që janë mbajtur vitin e kaluar, janë konsideruar gjerësisht si jolegjitime.
Nën udhëheqjen e Maduros, ekonomia e Venezuelës ka rënë ndjeshëm, duke çuar në inflacion të lartë, mungesa ushqimesh dhe ndërprerje të rrymës. Maduro këmbëngul se nuk do të largohet nga pushteti dhe ai e ka mbështetjen e ushtrisë.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, shumica e vendeve në Amerikën Latine dhe të tjera e kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm. Rusia, Turqia, Siria janë në mesin e vendeve që janë radhitur përkrah Maduros.