Shefi i Grupit Parlamentar i Parisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka bërë të ditur para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, se nuk bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës
Sejdiu tha se pas 20 vjetësh po bëhet Ligji për Pagat, që e sistemon administratës publike. Ai përmendi kushtet të cilat janë përmbushur nga ekzekutivit, sipas tij, ka mbetur vetëm një për numrin e këshilltarëve dhe zëvendësministrave për të cilën është duke u punuar.
Sa i përket asaj që a do të bëhen pjesë e Qeverisë, Sejdiu tha se në asnjë rrethanë, nuk bëhen pjesë e qeverisjes.
“Jo në asnjë rrethanë. PSD ka sjellë frymë të re opozitarizmit. Në mundësi të veta sjellë ndryshime.
Nuk do të jemi pjesë e qeverisë, ne kushtëzojmë Qeverinë që të sjellin ligje të mira”, tha Sejdiu.
“Për neve është e rëndësishme që Kosova pas 20 vitesh të bëhet me ligj të pagave, është e rëndësishme të bëhet ligji për dialog. Nesër ndoshta opozita mund ta rrëzojë qeverinë”, shtoi Sejdiu.
Sejdiu tha se janë deponuar në korrik nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, ai kritikoi partitë e tjera, të cilat tha se s’po japin nënshkrime por vetëm po ankohen.
“Në korrik i kam deponuar nënshkrimet, nuk besoj që ka arsye të bëhet kjo pyetje, pyetja duhet të jetë pse tjerët s’po japin nënshkrime por vetëm po ankohen”, u shpreh Sejdiu.