Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka akuzuar Prishtinën se është duke e bërë të kundërtën e asaj që nevojitet në mënyrë që palët t’i kthehen dialogut.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka bërë akuza të reja në drejtim të Prishtinës.
Ajo ka thënë se pala kosovare me vendimet e saja është duke cenuar stabilitetin e rajonit dhe shpreson se bota do të njoftohet se kush është konstruktiv, e kush e kundërta e saj.
Në pyetjen e gazetarëve rreth taksës së vendosur nga Prishtina, si dhe statusit të kombinatit Trepça, Bërnabiq ka thënë se Prishtina është duke e bërë të kundërtën e asaj që nevojitet në mënyrë që palët t’i kthehen dialogut, transmeton lajmi.net.
Ajo beson se vendimet do të kthehen si ‘bumerang’ për Prishtinën.
“Nëse ata llogarisin se kjo paraqet forcim të pozicionit para bisedimeve të ardhshme, mua më duket se qëndron e kundërta”, tha ajo për mediat serbe.
“Nuk e di si do të mbështeten tek partneriteti me shtetet anëtare të BE-së rreth liberalizimit të vizave, nëse edhe pas dy muaj e gjysmë përgjigjen me jo ndaj kërkesave të tyre. Si mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëse Trump u ka kërkuar të tërheqin vendimin për taksë, e ata sjellin të reja”, shtoi ajo.