Gazeta online “Insajderi” gjatë ditës së djeshme ka publikuar intervistën me vajzën që dyshohet se është keqpërdorur seksualisht në mënyrë sistematike nga profesori i saj dhe më pas edhe nga zyrtari policor [pasi kishte shkuar për ta raportuar në Stacionin Policor keqpërdorimin seksual nga profesori].
Visar Duriqi nga “Insajderi” që e realizoi intervistën bashkë me kolegun Vehbi Kajtazi ka thënë se e ka përjetuar rëndë rrëfimin e vajzës.
“Ishim atje me Vehbiun [Kajtazin]. Ndoshta është keq të thuhet por ende nuk e kemi marrë veten nga ajo që kemi dëgjuar”.
“Rrëfimi është pothuajse i plotë por ka disa pjesë që i kemi hequr sepse ka mundur të identifikohet viktima”.
“Ka qenë e pabesueshme që ka mundur të ndodhë në një qytet të vogël si Drenasi që një polic të jetë kaq kapaidi dhe një sistem i tërë të mos mund të ndalë përdhunimin që i ka bërë kësaj vajze”.
Duriqi në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar se pse kanë vendosur që ta publikojnë intervistën e vajzës që dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga polici dhe më pas edhe nga profesori.
“Na ka bindur që duhet ta publikojmë. Reagimet kanë qenë se mos është vetëm një rast që del se është i pafajshëm por ne donim që publikut ta dëgjojë rrëfimin dhe ta kuptojë se është viktimë që i ka ardhë një fund”.
“Vajza ka qenë duke shqyrtuar si mundësi vetëvrasjen – kanë qenë momentet e fundit që të shpëtojë”.
“Kemi qenë edhe më afër, kemi deklaratat e mëhershme që ka dhënë në Prokurori, kemi edhe deklaratat e reja – rrëfimi i saj nuk ndryshon”.
“Nuk është një vajzë që po shpik dhe harron detaje. Kanë qenë individë të tjerë që e kanë shtyrë publikimin e këtij rasti dhe nxjerrjen e këtij skandali sepse vajza ka qenë e frikësuar”.
Gazetari Visar Duriqi ka thënë se nga puna në terren dhe intervistat e realizuara, që do të publikohen së shpejti, del se në këtë Stacion Policor mund të jenë kryer edhe krime të tjera.
“Intervistat që kemi pasë me njerëzit që kanë nxjerrë këtë skandal na kanë thënë që në Stacionin Policor në Drenas ka edhe krime të tjera si fshirja e rasteve, mosregjistrimi i denoncimeve, korrupsion masiv dhe madje dyshojnë që ka edhe raste të tjera seksuale”.
“Polici ka refuzuar të japë telefonin e tij dhe ka dyshime që mund të ketë edhe raste të tjera të ngjashme”.
Duriqi ka thënë se duhet që mediat të jenë të kujdesshme sepse identifikimi i viktimës mund të ketë pasoja.
“Kam marrë mbi 30 mesazhe nga njerëzit që më kanë dërguar fotografi duke më dhënë a është e njëjta vajzë dhe jam vazhdimisht duke përbuzur këto mesazhe”.