Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka publikuar emrat dhe mbiemrat e 39.502 votuesve të cilët cilësohen si të dyshimtë. Tani ata kanë afat prej 25 ditë që të regjistrohen në listat zgjedhore. Sipas të dhënave votues të dyshimtë ka në 53 komuna, ndërsa më në numër janë në Çair (8.659), Tetovë (6.692), Karposh (4008), Gostivar (3.532) dhe Saraji (2420). Raportohet se bëhet fjalë kryesisht për mërgimtarë, mbi 80 për qind e të cilëve janë shqiptarë. Tendencat për fshirjen e tyre me çdo kusht nga Lista zgjedhore nuk kanë të ndalur. Si një tendencë e tillë vlerësohet edhe publikimi i listës vetëm në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik edhe në versionin shqip edhe te ai maqedonisht i ueb faqes së KSHZ-së. Kjo vlerësohet si vazhdim i tradhtisë që ju bë mërgimtarëve, duke i vendosur në “listë të zezë” të votuesve.
“Jemi në përpunim të softuerit. Nuk jemi në gjendje ta zgjidhim për momentin këtë problematikë”, u arsyetua në deklaratën e tij për gazetën “Lajm” të Maqedonisë, zv/kryetari i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca.
Me qëndrim gati të njëjtë u paraqit edhe anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
“Kemi pasë vëretjte prej qytetarëve për këtë çështje. E kemi parashtruar këtë problem në Komision. Mendoj se është bë gabim”, deklaroi Jakupi për “Lajm”.
Mirëpo ekspertët e IT-së që ka konsultuar gazeta Lajm kategorikisht mohojnë se bëhet fjalë për problem teknik.
“Kthimi i shkronjave nga alfabeti cirilik në alfabet shqip është punë që nuk kërkon më shumë se një orë. Pak më tepër kohë ndoshta kërkon përkthimi i adresave nga maqedonishtja në shqip. Mirëpo nuk besoj se KSHZ nuk mund t’i lejojë vetes të angazhojë ekspertë për të rregulluar këtë problem të vogël”, deklaroi për “Lajm” një ekspert i IT-së.
Arsyetimeve të anëtarëve të KSHZ-së, nuk ju besojnë as mërgimtarët shqiptarë. Ata thonë se shumë mërgimtarë nuk e njohin alfabetin cirilik, prandaj shtohen gjasat që të mos paraqiten fare për votime.
“Jam tejet i indinjuar që lista është bë vetëm në alfabetin cirilik, me ç’rast po dëshmohet se gjuha shqipe nuk përfillet në Maqedoni. Jam i bindur se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëshim teknik, por se bëhet fjalë për shkelje të rëndë dhe të qëllimshëm të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, thotë për “Lajm” gazetari dhe veprimtari i diasporës nga Shkupi, Enver Gashi.
“Le të turpërohen ata të cilët trumbetojnë se gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni”, shton Gashi.
Hadi Osmani, i cili ka paralajmëruar pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme si kandidat i pavarur i diasporës së Ervopës, thotë se me shkrimin e emrave dhe adresave vetëm maqedonisht, rriten gjasat që numri i mërgimtarëve shqiptarë që fshihen nga lista zgjedhore të jetë më i madh.
“Mërgimtarët tanë edhe pse janë larg nesh ata janë pjesa më vitale e shoqërisë tonë. Ata janë personat që e mirëmbajnë këtë shtet me remitancat e tyre prandaj është mëkat që ne të mos ua plotësojmë atyre kërkesat dhe të drejtat elementare si e drejta e votës. Ekziston rrezik i madh që shumë mërgimtarë të fshihen nga lista zgjedhore pasi mund të mos e kuptojnë se janë pjesë e listës së kontestueshme prandaj duhet që të mobilizohemi si shqiptarë dhe të mos lejojmë që të ulet numri i votuesve shqiptarë”, deklaroi Osmani për “Lajm”.
Regjistrimi i votuesve do të bëhet personalisht në njësitet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor si dhe në zyrat e Drejtorisë së Librave Amë, ku votuesit mund të paraqiten dhe të dorëzojnë letërnjoftim ose pasaportë. Regjistrimi mund të bëhet edhe në mënyrë elektronike në ueb-faqen e KSHZ-së. Votuesit që të mund të paraqiten në mënyrë elektronike duhet të shkruajnë numrin amë dhe të dërgojnë kopje të skanuar nga letërnjoftimi ose pasaporta.
Regjistrimi do të zgjas deri 16 gusht, ndërsa mund të bëhet çdo ditë prej orës 8.30 deri në orën 19:00.
Pas skadimit të këtij afati, KSHZ do të ketë edhe 10 ditë në dispozicion që të mund të realizoj kontrolle shtesë ose personalisht të kontaktoj votuesit.
Në adresat që i posedon KSHZ deri tek votuesit e dyshimtë do të dërgohet letër nëpërmjet të cilit do të informohen për nevojat e paraqitjes.
Nëse personat nuk paraqiten në mënyrë elektronike ose personale në afatin e paraparë nuk do të regjistrohen në Listën Zgjedhore. Ata do të kenë mundësi të regjistrohen gjatë shqyrtimit publik të Listës Zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare që sipas paralajmërimeve duhet të mbahen në fund të vitit./lajmpress.com