Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi në raportimin e saj para Komisionit Parlamentar ka bërë të ditur se zyrtari policor Vesel Veseli ka dorëzuar një telefon në të cilin nuk ka qasje në rrjete sociale.
Megjithatë ky mjet komunikimi sipas raportimeve nuk është i njëjti nga telefoni i cili raportohet se hetuesi policor pati të dhëna të mjaftueshme për të zbuluar detaje konkrete për të zbardhur rastin e abuzimit seksual ndaj 16 vjeçares.
Kelmendi ka bërë të ditur se telefoni i është dhënë policisë pas bastisjeve të kryera në shtëpinë dhe veturën e hetuesit policor tashmë të arrestuar, Vesel Veselit.
Vesel Veseli dyshohet se keqtrajtoi seksualisht dhe detyroi të abortonte A.G, 16 vjeçare nga Drenasi – pasi kjo e fundit kishte raportuar se e ngacmoi seksualisht profesori i saj Shkelzen Xhekaj.
Po ashtu, kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi ka bërë të ditur se kanë bërë kërkesë që celulari i cili është i nevojshëm për hetuesit policorë në zbardhjen e rastit të kërkohet edhe nga Posta e Kosovës. /kk