Haradinaj: Taksa po e pengon formalizimin për ndarje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa ndaj Serbisë po e pengon formalizimin për ndarje të territorit.

Këtë e tha në akademinë përkujtimore në 29-vjetorin e vrasjes së Enver Hadrit.

“Enveri ishte detyruar ta lë Pejën, jemi dëshmitarë të dëbimit të muhaxhirëve. Ai ishte ambasadori i parë i Kosovës, në Bruksel. Pushteti i kohës e vuri në shënjestër. Sot 20 vjet pas çlirimit, dialogu u devijua nga disa qarqe, duke u vu në dialog për territore. Taksa 100 për qind e pengon formalizimin për ndarje”, ka thënë Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i bëri në Akademinë përkujtimore për heroin Enver Hadri.

Fjalën e plotë e kryeministrit Haradinaj mund ta lexoni më poshtë:

Është në nderin tonë sot të kujtojmë Enver Hadrin, intelektualin dhe veprimtarin e madh të lëvizjes për liri e shtet, ambasadorin e parë joformal të Kosovës në zemër të Europës politike.

Enver Hadri është mishërim i fatit të shqiptarit përgjatë dy shekujve. Gjyshërit e Enverit kishin përjetuar tragjedinë e shpërnguljes së dhunshme nga Toplica, Sangjaku i Nishit në vitin 1878, kurse Enveri 100 vjet më vonë u detyrua ta linte Pejën, pra më 1973.
Ne jemi dëshmitarë të tregimeve të tmerrshme për muhaxherët të cilët u përzunë, duke mos i lejuar të merrnin as ushqim dhe veshmbathje për fëmijët dhe të moshuarit.

Atëherë rreth 520 fshatra shqiptare u zbrazën dhunshëm nga banorët autoktonë duke mos i kursyer as fëmijët në djep.

Enveri e dinte mirë se nuk kishin pushuar synimet e Serbisë hegjemoniste për të ndërmarrë një fushatë të njëjtë në Kosovë, me qëllim spastrimin final etnik nga shqiptarët.

Dhe ai u vu në shërbim të mbrojtjes së popullit të tij dhe të Kosovës nga një spastrim i ngjashëm, që forcat e Millosheviqit e provuan më 1999 duke ndjekur rreth një milion shqiptarë nga vatrat e tyre.

Enver Hadri këto të drejta i mbrojti në kancelaritë e Fuqive të Mëdha duke u shndërruar në ambasadorin e parë të Kosovës në Bruksel, duke u bërë zëdhënës dhe lider i të drejtave të njeriut në Kosovë.

E vërteta e tij respektohej nga organizatat me renome ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe nga publiku i gjerë europian dhe më gjerë, pushteti i kohës e vuri në shënjestër sepse kjo e vërtetë po jehonte në ndërgjegjen e botës së lirë.

Sot, 20-vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa çarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore. Prandaj sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia.

Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtim në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin e marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksa 100%, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarje.

Kosova nuk jep tokë për njohje dhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohjen e Serbisë.

Si me e përmbyllë tragjedinë e një kombi, në vuajtjet e një familjeje të vetme, Enveri vritet në pritë tek po kthehej nga vizita tek varri i nënës.

Për koincidencë burri i madh i Kosovës po atë ditë që ra e kishte përpiluar Rezolutën për vrasjen e 23 civilëve në Kosovë.

Burrat si Enver Hadri e kanë sjellë Kosovën këtu ku është dhe ua kemi për borxh atyre dhe brezave që kurrë më të mos lejojmë tragjedi të tilla, pra të mos lejojmë t’u ndodhë shqiptarëve, Toplica e dytë.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Enver Hadrit!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme