Mediat e huaja i kanë kushtuar sërish artikull mafias shqiptare. E përditshmja britanike “The Mirror” e cilëson mafian shqiptare si dominuese të tregut të kokainës, qe kap një vlerë prej 5 miliardë paund.
“Bandat e dhunshme nga populli ballkanik thuhet se kanë marrë ngadalë tregtinë e drogës në Britani, pasi lëvizën nga vendi pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1990.”
Sipas medias britanike mafia shqiptare kapi kontrollin e tregut britanik duke hyrë si “tregtarë me shumicë”, si dhe duke negociuar direkt me kartelet kolumbiane.
“Tani banditë të frikshëm kontrollojnë pothuajse të gjithë tregun në Britani të Madhe – me kokainën më të lirë që nga viti 1990 dhe më të pastër që prej një dekade”.
Një prej këtyre grupeve famëkeqe është “Hellbanianz”, një bandë që zotëron terrenin në periferinë Gascoigne, në Barking të Londrës lindore.
E përbërë prej rreth 50 anëtarësh, grupi i banditëve publikojnë rregullisht foto në rrjetet sociale, duke shfaqur tufat me të holla dhe makinat e tyre super të shtrenjta.
Gjithashtu në këtë artikull theksohet se në Britani është rritur ndjeshëm numri i të rinjve përdorues të lëndëve narkotike.