Franca vazhdon të mbetet ngurruese përsa i takon zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Këtë qëndrim e përforcon ndjeshëm deklarata e fundit e ministres së ngarkuar me çështjet europiane në qeverinë franceze, Nathalie Loiseau, e cila foli më së shumti për Serbinë, por la të kuptohet se kjo vlen edhe për të tjerët, kur deklaroi se situata e bllokut nuk është optimale për shtimin e radhëve të tij.
Franca beson se Serbia ka një perspektivë europiane. Me historinë, civilizimin dhe vetë fatin e saj, ajo është pjesë e Europës, tha Loiseau gjatë vizitës në Beograd. Së bashku me Malin e zi, kujtoi ajo, Serbia ka bërë progresin më të madh në rrugën drejt BE-së, duke hapur 16 nga 35 kapituj. I gjithë ky konstatim, megjithatë, e kishte dhe një por…
“Ne, si miqtë tuaj, jemi të detyruar t`ju themi të vërtetën: gjendja e Bashkimit Europian nuk i lejon anëtarësimet e reja në kushte të kënaqshme, si për BE-në vetë ashtu dhe për vendet e tjera, që mund të bëhen pjesë e saj”, tha Loiseau, përcjell TCH.
Bashkimi Europian, sipas Loiseau, ka nevojë një herë të reformojë vetveten. Sa për Serbinë, asaj i mbeten dy sfida kryesore me të cilat duhet të përballet: fuqizimi i sundimit të ligjit dhe “nevoja për të zgjidhur ngërçin me Kosovën”.