Në kuadër të konferencës ministrore “Procesi i Berdos”, që u mbajt në Shkup, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Ekrem Mustafa, ka zhvilluar takime me ministrin e Brendshëm të Kroacisë, z. Davor Bozhinoviq si dhe me ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, z. Boshtjan Poklukar.
Në takim mes ministrit Mustafa dhe homologut të tij kroat, në mes të tjerash u diskutua për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, marrëveshjet e bashkëpunimit me policinë dhe fushën e forenzikës.
Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje bilaterale në mes të Kosovës dhe Kroacisë për njohjen e patentë- shoferëve.
Ndërsa, në takim me ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, z. Boshtjan Poklukar, u diskutua lidhur me marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin policor në mes të dyja vendeve.
Në të dy takimet ministri Mustafa mori përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.