Më 1998, Kinkeli kërcënonte Millosheviqin me përdorim të forcës nëse s’tërhiqej nga Kosova

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, ka vdekur dje në moshën 82-vjeçare.

Me këtë rast, Koha.net sjell në kujtim një deklaratë të ish-ministrit gjerman gjatë luftës në Kosovë më 1998.

Associated Press, 22 shtator, 1998

Gjermania ka kërcënuar presidentin e Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq me forcë ushtarake të martën nëse nuk zbut masat ndaj provincës separatiste të Kosovës, duke thënë se NATO-ja është e përgatitur që të zgjidh krizën.

Në një fjalim para liderëve botërorë të mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme, ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, dënoi përdorimin e forcës nga trupat e Millosheviqit dhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. UÇK-ja po lufton për pavarësi të Kosovës, ku shqiptarët etnikë përbëjnë 90 për qind të popullatës. “Pjesa më e madhe e përgjegjësisë për këtë dramë bie mbi Beogradin, me Presidentin Millosheviq”, ka thënë Kinkeli. “Ai duhet të kuptojë se komuniteti ndërkombëtar do të reagojë me forcë ushtarake nëse është e nevojshme”.

Millosheviqi po ashtu u kritikua ashpër nga Wolfgang Schussel, ministri i Jashtëm austriak, i cili kërkoi tërheqjen e forcave serbe dhe jugosllave nga Kosova.

“Policia e tyre dhe operacionet ushtarake kanë çuar në pasoja për popullatën civile që janë jashtë çdo proporcioni të arsyetueshëm”, ka thënë Schussel, duke folur në emër të Bashkimit Evropian.

Ai bëri thirrje për negociata për të “definuar statusin e ri të Kosovës”.

“Megjithatë, pa ndërprerjen e ofensivës së vazhdueshme serbe, pa përfundimin e derdhjes së mëtejme të gjakut, dhe pa një përmirësim të dukshëm të gjendjes katastrofike humanitare, dialogu kuptimplotë nuk mund të nis”, ka thënë Schussel.

Me qindra persona janë vrarë dhe mbi një çerek milioni janë zhvendosur që kur forcat serbe nisën masat e dhunshme në shkurt ndaj separatistëve shqiptarë etnikë në Kosovë. Kombet Perëndimore mbështesin rikthimin e autonomisë së Kosovës, e cila i ishte hequr nga Millosheviqi më 1989.

Forcat serbe të martën sulmuan fshatra në Kosovë me artileri të rëndë dhe me tanke.

Të hënën, kryeministrit britanik Tony Blair kërkoi nxiti veprime të ashpra nga Këshilli i Sigurimit për të ndërprerë luftimet në Kosovë.

Britania dhe Franca javën e kaluar nisën hartimi e një rezolute që do të kërkonte armëpushim të menjëhershëm dhe “një fund urgjent për shkeljen e të drejtave të banorëve të Kosovës”, tha Blair.

Dy vendet po synojnë një rezolutë të Këshillit që do të autorizonte përdorimin e forcës për të detyruar Millosheviqin të pajtohet, thonë burime nga Këshilli i Sigurimit.

Rusia, e cila ka fuqi vetoje ndaj rezolutave si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se kundërshton çdo kërcënim për përdorim të forcës.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme