Qeveria e Venezuelës e ka dëbuar ambasadorin gjerman të mërkurën, derisa grupet për mbrojtjen e lirisë së shtypit kanë bërë të ditur se është burgosur një gazetar amerikan, në kuadër të masave gjithnjë e më shtypëse të ndërmarra nga presidenti i këtij shteti, Nicolas Maduro.
Ambasadori Daniel Kriener është dëbuar dy ditë pasi që ai dhe diplomatë të ambasadave tjera kanë dalë për ta pritur liderin e opozitës, Juan Guaido, në aeroportin e Karakasit.
Qeveria e këtij shteti e ka shpallur Krienerin “persona non grata”, duke i dhënë 48 orë afat për t’u larguar nga shteti, duke e akuzuar për ndërhyrje në punë të brendshme, ndonëse nuk janë dhënë detaje.
“Venezuela e konsideron të papranueshme që një diplomat i huaj të ndërmarrë në territorin e saj rol publik të afrimit me një lider politik që është pjesë e agjendës konspirative të sektorëve ekstremistë të opozitës venezuelase”, ka bërë të ditur përmes një deklarate, qeveria e këtij shteti.