Në orën 05:00 të mëngjesit të së hënës më 25 shkurt, Burdushi e lidhi një çarçaf për televizorin që ndodhej në dhomën e tij të burgut dhe tentoi t’ia merrte jetën vetes. Por tentimin e mjekut popullor për ta vrarë veten e ndaluan zyrtarët korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi ka konfirmuar sot rastin. Ka thënë se Hysri Peçani tentoi ta vriste veten në dhomën e tij të burgut.
“Me datën 25.02.2019 rreth orës 05:00 te mëngjesit i paraburgosuri H.P ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit i cili është në dhomën e tij. Mënyrën e tentim vetëvarjes e ka bërë duke e lidhur çarçafin për TV të cilën po ashtu e ka në dhomë”, ka thënë Thaçi në një prononcim për Gazetën Express.
Thaçi ka treguar se zyrtarët e SHKK-së e kanë parandaluar tentimin e Burdushit për ta vrarë veten “në fazën fillestare”.
“Pasi që është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende pa filluar”, ka thënë Thaçi.
Drejtori i burgjeve ka thënë se Burdushit i është dhënë ndihma mjekësore dhe është bërë kontrolli mjekësor pas tentimit për vetëvrasje, dhe se është konstatuar që nuk ka kurrfarë lëndimesh.