SHBA për marrëveshje me njohjen e ndërsjellë Serbi-Kosovë, nuk përjashton ndryshimin e kufirit

SHBA mbështet normalizmin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse, që në thelb do të thoshte njohje e ndërsjellë. Kështu deklaroi zyrtari i lartë amerikan Matthew Palmer, dhe shtoi se është “krejtësisht e mundur që një marrëveshje e tillë të përfshijë edhe “përshtatjen” e kufirit midis Serbisë e Kosovës, transmeton Koha.net raportimin e mediave kroate.

“Mbështesim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës (…) Marrëveshjen të dy palët duhet ta arrijnë vetëm, ajo duhet të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Në thelb të kësaj, për ne, kjo do të thoshte njohje e ndërsjellë”, u tha gazetarëve Palmer, nga Zyra për Çështje Europiane e Aziatike në Departamentin e Shtetit i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor.

“Është plotësisht e mundshme që ajo të përfshijë edhe përshtatjen e kufijve ndërmjet Serbisë e Kosovës. SHBA nuk e kërkon këtë, por as nuk e përjashton”, citohet të ketë thënë Palmer.

Sipas fjalëve të tij, nga Beogradi pritet “njohja dhe pranimi i Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, ndërsa Kosova do të duhej të pranonte Serbinë si fqinj të vet.

Kah hapësirë, është shprehur ai, që palët të negociojnë marrëveshjen që do të ishte e pranueshme për opinionin në njërin dhe vendin tjetër.

“Do të dëshironim të shihnim që të dy palët të arrijnë marrëveshje, dëshirojmë që të na sjellin dhe që ta shqyrtojmë mirë. Nëse do të kishte ndonjë mëdyshje në marrëveshje ne këtë do t’ua themi dhe të angazhohemi për zgjidhje bashkë me palët e përfshira dhe ta përshtatim në masën që SHBA mund ta përqafojë e konfirmojë”, ka thënë Palmer, transmeton Koha.net.

“Qëllimi ynë parësor është ndihmojmë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, normalizimin e marrëdhënieve bashkë me njohjen e ndërsjellë në thelbin e saj”, ka thënë diplomati amerikan.

Ai ka tërhequr vërejtjen se kontesti midis dy palëve përbën burim destabiliteti në rajon, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë e Kosovës do t’i përafronte ato nga integrimi europian.

Palmer ka sqaruar se marrëveshja midis dy palëve duhet gjithsesi të jetë “multivariabil” dhe të përmbajë komponentin politik, të sigurisë, ekonomik e tregtar dhe atë kulturor.

Por ai ka rikujtuar se të dy palët së pari duhet të rikthehen në tavolinën e bisedimeve dhe se negociatat janë bllokuar në masë të madhe për shkak të tarifave të larta doganore të vendosura nga Kosova nga fundi i nëntorit ndaj produkteve nga Serbia dhe BeH.

Prishtina ndërmori këtë hap pasi Serbia dhe BeH, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Dubaj votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – Interpol.

“SHBA do të dëshironte që Kosova të abrogojë ato tarifa doganore në mënyrë që dialogu të rifillojë. Madje edhe suspendimi i përkohshëm do t’i jepte shans dialogut (…) I bëjmë thirrje Kosovës që të suspendojë ato tarifa doganore dhe të mundësojë rikthimin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës”, ka thënë Palmer.

Duke folur në lidhje me debatet që po zhvillohen, ai ka thënë se “SHBA nuk është palë në negociata”, por mbështet palët që të arrijnë marrëveshje që do të jetë e pranueshme për to dhe për opinionin në Serbi e në Kosovë.

Sipas mendimit të tij, palët nuk kanë shumë kohë në dispozicion po deshën që qytetarëve të vet t’ua bëjnë të mundur sigurinë dhe prosperitetin si dhe rrugën në ardhmërinë auropiane.

“Duhet të lëvizin shpejt dhe të jenë ekspeditivë në mënyrë që të arrijnë marrëveshje që do të jetë e pranueshme për të dy palët dhe që do të përmbante normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, ka thënë Palmer, transmeton Koha.net raportimin e agjencisë kroate të lajmeve, HINA.

Ai ka shfaqur bindjen se Serbia dëshiron ta çojë përpara këtë proces, meqë, siç është shprehur, “Beogradi e ka të qartë se zgjidhja e kontestit me Kosovën ka rëndësi për interesat dhe ambiciet serbe që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian”.

“Shpresoj se edhe Kosova ka parasysh dhe kupton se arritja e marrëveshjes me Beogradin është vendimtare për hapjen e dyerve nga e ardhmja europiane”, ka thënë Palmer, transmeton Koha.net.

Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme