Sindikata e Bashkuar e Arsimit para disa ditësh e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës. Në media sot u raportua se gjykata në fjalë ka refuzuar padinë e plotë të SBASHK’ut, gjë të cilën e mohojnë nga kjo sindikatë.
Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj për Periskopin ka sqaruar se Themelorja nuk e ka refuzuar në tërësi padinë e tyre, por vetëm atë pjesën që vendimi i MASHT’it të pezullohet deri në mbajtjen e seancës.
”Ne kemi marrë shkresën nga Gjykata sot. Gjykata nuk ka refuzuar kërkesën ndaj vendimit të ministrit Bytyqi dhe do të mbajë seancë të rregullt lidhur me të dhe do të sjell vendim meritor. Por e ka refuzu atë pjesën ku ne kemi kërkuar që derisa gjykata të vendos apo të mbajë seancë, të pezullohet vendimi i ministrit Bytyqi. Pra Gjykata ka menduar që nuk nevojë të pezullohet ky vendim por ka vendosur që të mbajë seancë të rregullt. Dmth kërkesa jonë ndaj atij vendimi nuk është refuzuar si i tillë, por vetëm ajo pjesa e kërkesës të ketë pezullim të vendimit’’, ka sqaruar Jasharaj për Periskopin.
Tutje ia thotë se do të shtrojnë ankesë tek Gjykata e Apelit për këtë shkak.
‘’ Ne do të shkojmë në Gjykatën e Apelit me kërkesën që edhe masa e pezullimit të ekzistojë dhe të përgatisim ankesën ndaj vendimit të Gjykatës Themelore lidhur me faktin që nuk e pa pezulluar. E vërteta është që Gjykata nuk e ka hedhur poshtë kërkesën në tërësi. Por do të mbajë seancë. Nuk e ka parë të udhës pezullimin. Mbase MASHT i gëzuar shumë nuk e ka lexuar të tërën shkresën por ka dalë për të krijuar në opinion një habi edhe ka dalë me atë se gjoja është refuzuar e tërë kërkesa’’, shton tutje kryetari i SBASHK’ut.
SBASHK para disa ditësh, zyrtarisht ka dalë kundër vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi , i cili ka kërkuar kompensimin e orëve të humbura mësimore gjatë grevës tre-javore të punëtorëve të arsimit.
Kjo sindikatë kishte kërkuar që të mos zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës deri në aktgjykimin përfundimtarë të gjykatës përkatëse lidhur më ligjshmërinë e vendimit nr: 911 të datës 27.02.2019 për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, të cilin e ka nxjerr ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Në anën tjetër, MASHT para një jave ka marrë vendim që orët e humbura të grevës të zëvendësohen si në vijim:
– 5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;
– 5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;
– 5 (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.
Greva e mësimdhënësve, e inicuar nga SBASHK ishte lidhur me pushimin dimëror të fund dhjetorit të 2018’ës dhe kishte vazhduar deri në shkurt të këtij viti. Pas një oferte të dytë nga kryeministri Ramush Haradinaj për rritje të koeficientit të pagave, mësimi kishte nisur në gjitha shkollat e Kosovës.