Ministri tunizian i Shëndetësisë, Abderraouf Cherif, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij pasi 11 foshnja të sapolindura kanë vdekur në një spital të kryeqytetit të vendit, Tunis.
Të gjitha foshnjat kanë humbur jetën për shkak të shokut septik në spitalin gjinekologjik “Rabta” më 7 dhe 8 mars.
Kryeministri i vendit, Youssef Chahed, ka thënë se hetuesit e kanë hapur një rast për këto vdekje në spitalin publik dhe do t’i hetojnë kushtet farmaceutike dhe higjienën.
Dorëheqja e ministrit Cherif erdhi vetëm katër muaj pas përzgjedhjes së tij në këtë pozitë.
Përmes një postimi në Facebook, Shoqata e Pediatrave të Tunizisë ka thënë se infeksioni mund të jetë shkaktuar nga ushqimi intravenoz.
Sistemi shëndetësor i Tunizisë është vlerësuar si një nga më të mirët në Afrikën Veriore, ndërsa turizmi mjekësor është një burim i konsiderueshëm i të ardhurave për këtë shtet, shkruan “BBC”.