Selimi: Përmes Beogradit s’e rrëzojmë Qeverinë

Partia opozitare LDK-ja nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse do ta rrëzojnë Qeverinë me votat e Listës Serbe.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i pyetur se a i pranojnë votat e serbëve për rrëzimin e Qeverisë, nuk e ka mohuar e as pohuar një gjë të tillë, por ka bërë të ditur se në asnjë formë nuk do të pranojnë kushtëzime nga asnjë parti. 

“LDK-ja do të procedojë në mocion të votëbesimit ndaj Qeverisë në momentin që sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Por, nuk pranon asnjë lloj kushtëzimi nga askush”, ka thënë Hoti për “Zërin”.

Kurse Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, duke i komentuar deklaratat e deputetit të Listës Serbe Igor Simiqit për rrëzim të Qeverisë, i ka thënë “Zërit” që partia e tij nuk pranon në asnjë formë që ta rrëzojë Qeverinë përmes Beogradit.

“Pavarësisht se Qeveria u formua me Listën Serbe, respektivisht me bekimin e Qeverisë së Serbisë, ne nuk e rrëzojmë Qeverinë përmes kësaj partie, por përmes opozitës së Kosovës. Ne as nuk i llogarisim e as nuk i kërkojmë votat e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë. Qeveria e Kosovës duhet të bjerë, zgjedhje duhet të ketë sa më parë, por jo sepse do Serbia, por sepse duan qytetarët e Kosovës”, ka potencuar Selimi.

Selimi ndër të tjera ka thënë që ndonëse partia e tij nuk mbështetet në vullnetin e Listës Serbe, nëse këta të fundit vendosin të votojnë pro rrëzimit të Qeverisë, atëherë partia e tij nuk mund t’ua ndalojë një gjë të tillë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme