Siguria e aeroplanëve Boeing vihet në pikëpyetje

Kompania amerikane e prodhimit të aeroplanëve Boeing është duke u përballur me pyetje, pasi aeroplani i kompanisë, Ethiopian Airlines, është rrëzuar të dielën, duke lënë të vdekur 157 persona në bord

Kjo njëherësh ka shënuar rrëzimin e dytë të aeroplanit të llojit, 737 Max 8, në pesë muajt e fundit, andaj veçse ka filluar të krahasohet ky incident me atë që ka ndodhur në Indonezi në tetor të vitit të kaluar.

Në përgjigje ndaj këtij incidenti, një numër i kompanive ajrore kanë hequr dorë nga aeroplanët e këtij modeli.

Ekspertët, në anën tjetër, kanë thënë se ende është shumë herët për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar këtë incident.

Kompania, Ethiopian Airlines ka thënë se fluturimi ET302, ka zgjatur vetëm gjashtë minuta, para se të rrëzohej në Addis Ababa.

Ajo po ashtu ka thënë se piloti ka njoftuar se ka vështirësi dhe ka kërkuar që të kthehet sërish në vendin nga është nisur.

“Në këtë periudhë, ne nuk mund të vendosim asgjë”, ka thënë drejtori i kompanisë, Ethiopian Airlines, Tewolde Gebremariam, në Aeroportin Ndërkombëtar, Bole.

Dukshmëria është thënë të ketë qenë e mirë, mirëpo vëzhguesit e trafikut ajror kanë thënë se “shpejtësia vertikale nuk ka qenë stabile”.

Sipas kompanisë, edhe kapiteni, Yared Getachew, ka pasur “performancë të mirë” me më shumë se 8.000 orë fluturime.

Pasagjerë nga më shumë se 30 shtete kanë qenë në bord, duke përfshirë banorë të Kenias, kanadezë, amerikanë, britanikë, gjermanë, rusë dhe një serb.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se 19 anëtarë të agjencive bashkëpunëtore kanë qenë në mesin e viktimave.

Deputeti sllovak, Anton Hrnko ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, se gruaja dhe dy fëmijët e tij kanë qenë në aeroplan.

Ndërkohë një grek ka thënë se ai kishte planifikuar të udhëtonte me atë fluturim mirëpo ka arritur me dy minuta vonesë.

Përmes një postimi në Facebook, Antonis Mavropoulos ka shpërndarë një fotografi të biletës, duke thënë se e diela ka qenë “dita e tij me fat”.

Autoritetet në Etiopi e kanë shpallur të hënën ditë zie kombëtare.

Aeroplani 737 MAX 8 është përdorur për fluturime komerciale nga viti 2017.

Aeroplani i rrëzuar ka qenë në mesin e gjashtë prej 30 aeroplanëve që kompania Ethiopian Airlines ka porositur, pas zgjerimit të ndërmarrjes.

Sipas kompanisë, të gjithë ata u janë nënshtruar “kontrolleve strikte të sigurisë”.

Kompania Boeing në anën tjetër ka thënë se është “thellësisht e mërzitur” me rrëzimin e aeroplanit dhe se do të dërgojë një ekip për ndihmë teknike.

Pas rrëzimit të aeroplanit të kompanisë Lion Air në tetor të vitit të kaluar, hetuesit kanë thënë se pilotët duket se kanë pasur probleme me një sistem që është i dizajnuar vetëm për aeroplanët e llojit, Boeing 737 Max, i cili parandalon bllokimet.

Si pasojë e këtyre problemeve, rrëzimi i aeroplanit në Indonezi pati rezultuar me 189 persona të vdekur.

“Është shumë e dyshimtë”, ka thënë për CNN, ish-Inspektorja e Përgjithshme për Departamentin amerikan të Transportit, Mary Schiavo.

“Kemi një lloj të aeroplanit që është rrëzuar dy herë për një vit. Kjo ngrit shqetësime për industrinë e aeroplanëve, sepse një gjë e tillë nuk ndodh rastësisht”.

Ethiopian Airlines konsiderohet kompani e sigurt për udhëtime, ndonëse më 2010 një nga aeroplanët e saj është rrëzuar në Detin Mesdhe, pak pasi është nisur nga Bejruti. /rel

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme