Pesë persona kanë humbur jetët dhe 36 të tjerë janë lënduar kur një pjesë e urës për kalimtarë u shemb të enjten në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai.
Së paku tre nga të vdekurit janë raportuar të jenë gra, ka thënë zëdhënësi i policisë në Mumbai, Manjunath Singe. Të lënduarit menjëherë janë dërguar në spitalet në afërsi të zonës së aksidentit, ka raportuar Reuters, transmeton Koha Ditore.
Një ekskavator është dërguar menjëherë në vend të ngjarjes për të pastruar rrënojat, të cilat e bllokuan qarkullimin e trafikut në rrugën e stërfrekuentuar në jug të Mumbait.
Ura e shembur lidh njërin prej stacioneve më të mëdha lokale, Terminalin Shhatrapati Shivaji, ku gjatë vitit 2008 ka ndodhur një sulm i madh militant, dhe shfrytëzohet nga dhjetëra mijëra kalimtarë brenda ditës.
Ministri kryesor i shtetit Maharashtra, Devendra Fadnavis, ka shkruar në “Twitter” se është i pikëlluar nga aksidenti dhe ka angazhuar zyrtarët komunalë dhe policorë për të siguruar operacion sa më efikas të shpëtimit dhe rimëkëmbjes.