Veseli: Edhe VV ka punësuar familjarë e militantë, ma zi se partitë tjera

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka punësuar familjarë e militantë partiakë edhe më zi se partitë tjera, shkruan Insajderi.

Veseli ka pranuar se edhe gjatë kohës sa PDK ishte në koalicion me LDK-në ka pasur punësime me “të njofshëm” – edhe brenda PDK-së.

“Unë kam qenë në koalicion edhe me LDK-në, e njëjta situatë, brenda partisë time e njëjta situatë. Vetëvendosja është njëjtë. E ka shfrytëzu, e ka keqpërdorë mosfuqinë politike që e ka pasë, por aty ku e ka pasë – si në Prishtinë sa e ka pasë, tash po e denoncon Shpendin – po njëjtë ka bërë, edhe ma zi”, ka thënë Veseli.

Ai ka paralajmëruar iniciativa e veprime ligjore si në gjendje të jashtëzakonshme për ta minimizuar këtë fenomen.

“Të gjitha duhet me u ndalë. Këtë pjesë po e them në mënyrë njerëzore, por edhe me përgjegjësi institucionale. Keni me e vërejtë edhe vetë, s’do të jenë veç fjalë, për arsye se e di që besimi ka humbë. Kemi me pasë edhe veprime konkrete, ligjore. Iniciativat pastaj do të ndërmerren bash si me qenë në gjendje të jashtëzakonshme, iniciative ligjore të cilat do t’i çojmë në Kuvend, një pako ligjore që i minimizon këto”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, iniciativa të tilla kundër nepotizmit janë ndërmarrë edhe në ShBA, në kohën e presidentit Kennedy.

“Keni iniciativa të cilat kanë ndodhur edhe në ShBA, në kohën e Kennedyt janë ndërmarrë, kundër nepotizmit pikërisht. Këto probleme nuk janë se po lindin vetëm në shtetin tonë, kanë qenë edhe tjetërkund, por duhet të minimizohen dhe duhet të eliminohen me aq sa mundemi”, u shpreh Veseli.

Së fundmi, janë publikuar lista me emra të familjarëve e të afërmve të shumë politikanëve që janë punësuar në kompani e institucione publike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme