Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se fati i Brexitit është në duart e miqve britanikë pasi liderët e BE-së arritën marrëveshje për ta shtyrë datën e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian për të paktën dy javë.
Nëse deputetët britanikë e miratojnë marrëveshjen e kryeministres May javën e ardhshme, data e Brexitit do të shtyhet nga 29 marsi më 22 maj. Por nëse kjo nuk arrihet, Britania e Madhe ka afat deri më 12 prill që ta paraqesë një plan të ri.
Tusk tha se çdo gjë është e mundur deri më 12 prill, përfshirë ndonjë shtyrje më të gjatë apo anulimin e këtij procesi në tërësi.
Duke folur në Bruksel të premten, ai tha se është shumë i lumtur që 27 liderët e BE-së morën vendim të njëzëshëm për ta shtyrë afatin e Brexitit, sipas të cilit Britania duhej të largohej nga BE-ja të premten e ardhshme.
Sipas rezultateve të samitit të fundit, Britania e Madhe duhet t’i qartësojë hapat e ardhshëm deri më 12 prill në rast se deputetët nuk e miratojnë marrëveshjen e kryeministres me BE-në. Secili plan i ri, i prezantuar nga qeveria britanike, do të analizohej dhe do të vlerësohej nga Këshilli Evropian.
Duke u mbështetur në rrethanat aktuale, analistët besojnë se marrëveshja e kryeministres May ka pak gjasa t’i marrë votat e mjaftueshme në kuvend dhe pritet që i tërë procesi të vazhdojë edhe në javët apo muajt e ardhshëm, shkruan “BBC”.