Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se me propozimin e LDK-së për Rezolutën që ndalon aktivitetin e lojërave të fatit, do të pastrojë rrugët e Kosovës prej objekteve të kazinove, të cilat sipas ministrit të financave, Bedri Hamza, deri tani kanë funksionuar në mënyrë ilegale.
Hoti thotë se sot i është dhënë fund edhe tentimit të Haradinajt, i cili kishte paraqitur një koncept dokument për lojërat e fatit, që ishte miratuar në 11 dhjetor të vitit 2018, shkruan Gazeta Express.
“Sot me propozimin e LDK’së, Kuvendi ka vendosur të lirojë rrugët dhe lagjet e lojërave të fatit, që kanë luajtur me fatin e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Sot i kemi dhënë goditje një mentaliteti qeverisës të kazinove dhe lojërave të fatit, siç paraqitet në Koncept Dokumentin e Qeverisë Haradinaj për lojërat e fatit të miratuar në Qeveri me 11 dhjetor 2018”, ka shkruar Hoti, raporton Gazeta Express.
Sipas Rezolutës që u miratuar sot në Kuvend:
1. Qeveria te nise menjëherë procedurat ligjore për pezullim te menjëhershëm te aktivitetit te të gjitha llojeve te lojërave të fatit deri në plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës dhe
2. Qeveria, brenda 30 dite, te sjelle ne Kuvend ligjin e ri që i ndalon të gjitha llojet e lojërave të fatit për një periudhë dhjetë vjeçare. Pas miratimit të kësaj rezolute i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, do të prezantojë ligjin e ri që shfuqizon ligjin e deritanishëm përmes të cilit kanë funksionuar lojërat e fatit.