“Një muaj paraburgim për burrin që rrahu gruan”, “Arrestohet burri që e detyroi gruan të abortojë me dhunë”, “Burri bëri për spital gruan dhe djalin”, Burri rrahu me grushta e shuplaka gruan e tij”, “Paraburgim për burrin që vrau gruan”, janë vetëm disa nga titujt që kanë qarkulluar në media këtë fillimvit.
Lajme të tilla mund të gjeni pothuajse çdo ditë në mediat në Kosovë.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga portali rtv21.tv vetëm në muajin janar dhe shkurt të këtij viti janë evidentuar 213 raste të dhunës në familje.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv tha se në vitin e kaluar janë evidentuar 1 mijë e 541 raste të dhunës në familje në tërë territorin e vendit.
Sipas policisë rastet më të shpeshta të dhunës ndërmjet bashkëshortëve, viktima kanë qenë gratë, por nuk mungojnë as rastet kur viktimë janë burrat.
“Nga këto raste, 727 prej tyre, kanë qenë të përfshirë bashkëshortet, ku në 704 raste viktimë ka qenë gruaja dhe në 23 raste viktimë ka qenë burri”, ka njoftuar policia për rtv21.tv.
Policia tha se vetëm gjatë vitit 2018 janë evidentuar 6 raste të vrasjeve brenda familjes, të evidentuara si raste të dhunës në familje.