Fondi i ndarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfshinë 4 milionë e 200 mijë euro në total, nga kjo shumë, asnjë cent nuk i është ndarë Partisë Socialdemokrate.
Në lidhje me këtë ka reaguar Partia Socialdemokrate. Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi është shprehur optimiste se kjo çështje do të rregullohet, shkruan Insajderi.
“Sa i përket fondeve që KQZ ka ndarë për subjektet politike, me Ligjin për Financimin e Partive Politike, i cili është ndryshuar dhe ka kaluar në lexim të parë, ligjërisht do të rregullohet edhe e drejta për ndarjen e fondeve”, ka thënë Kuçi.
E pyetur në lidhje me atë se çfarë hapash do të ndërmarr PSD pasi ka mbetur pa përfaqësues në KQZ, Kuçi deklaroi se së bashku me Nismën Socialdemokrate dhe deputet tjerë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Partia Socialdemokrate konsideron të padrejtë, jo demokratik dhe kundërkushtetues vendimin e Presidentit për ndarjen e anëtarëve të KQZ. Partia Socialdemokrate bashke me deputetët e subjektit Nisma Socialdemokrate dhe deputetë të tjerë, kanë bërë gati 30 nënshkrime për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Me këtë rast ne do të kërkojmë të drejtat e mohuara nga Presidenti, pra edhe ndryshimin e këtij vendimi”, ka thënë ajo për Insajderi.
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e parë, pas emërimit të tetë anëtarëve të rinj.
Në këtë mbledhje, u miratua vendimi për Caktimin e Lartësisë së Mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për vitin 2019.
Ky fond përfshinë 4 milionë e 200 mijë euro në total, të cilat do u ndahen subjekteve politike, në mesin e tyre fonde të veçanta nuk ka marrë Partia Socialdemokrate. Koalicioni PAN me të gjitha partitë tjera të vogla ka më shumë se 1 milion e 228 mijë euro, Lëvizja Vetëvendosje me 1 milion e 8 mijë euro, e pasuar nga LDK-ja, më shumë se 900 mijë euro.