Qortim të fortë nga zyrtarë të subjekteve në pushtet ka marrë të enjten Inspektorati i Policisë (IPK), shkaku që i ka përcjellë në organin e akuzës gjetjet e një hetimi rreth aksionit policor të një viti më parë, i cili kishte përfunduar me arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ata janë vënë në mbrojtje të policëve të përfshirë në aksion, për të cilët kanë thënë se vetëm kanë zbatuar urdhrat e eprorëve.
Reagimet janë bërë ditën kur “Koha Ditore” ka raportuar se dy prokurori janë duke u marrë me aksionin që ia vuri prangat Gjuriqit. Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka marrë në trajtim rastin, pasi në këtë institucion Inspektorati e ka përcjellë një raport informues. Ndërkaq, edhe në Serbi është hapur procedurë hetimore kundër “ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve” për arrestimin e Gjuriqit.
Deputeti Daut Haradinaj, i cili është vëlla i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka deklaruar se hetimi i Inspektoratit Policor ndaj policëve është në mospërputhje të plotë me detyrat që i janë dhënë këtij institucioni. Kjo, pasi ka konsideruar se policët me shumë profesionalizëm e kanë kryer detyrën e tyre në rastin e aksionit për arrestimin e Gjuriqit.