Çdo mëngjes, B. zgjohet dhe e fillon ditën në një fermë rurale në një fshat të pjesës perëndimore të Kosovës. Ajo e fillon zjarrin, pjekë bukë të shtëpisë, ushqen lopët e saj dhe pastaj kthehet tek shtëpia e saj për të bërë gati produktet që ajo i përgatitë për dyqanin e saj, raporton agjencia amerikane e lajmeve, NPR.
“Unë nuk pushoj, duhet të bëj diçka”, tha B., e cila është 51-vjeçare. “Ndihem sikur truri është më i qetë kur i bëj këto gjëra në shtëpinë time”.
Më vonë në atë ditë, ajo bën gati lloje të ndryshme të djathit të freskët dhe jogurt, në mënyrë që ti shesë në dyqanin e saj në Gjakovë – qytet i cili gjendet 30 minuta larg shtëpisë së saj.
B. është njëra nga 20.000 gra dhe burra të dhunuara dhe të torturuara nga policia serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në vitin 1998-1999 në Kosovë. Numri i saktë është i vështirë të dihet, duke e ditur ndjeshmërinë që e ka kjo temë në shtetin 1.8 milionë banorësh. Në shoqërinë konservatore dhe tradicionale të Kosovës, viktimat seksuale të luftës stigmatizohen, turpërohen dhe izolohen nga shoqëria, por edhe nga familjet e tyre, ku edhe shumë të mbijetuar e mbajtën sekret dhunimin ndaj tyre. Për këtë arsye ata që mbijetuan nuk e përdorin emrin e tyre në këtë artikull.
“Në përgjithësi, në rastet e dhunës seksuale, faji dhe turpi fatkeqësisht shkon tek viktimat e jo dhunuesi. Në Kosovë, rasti është i njëjtë”, thotë Rozafa Kelemndi, menaxhere e projektit në sektorin për Gra, Paqe dhe Siguri, të organizatës U.N Women in Kosovo. Ajo thotë se në vitin 2008, Këshilli i Sigurimit kaloi rezolutën që e dënon dhunën seksuale, dhe e cilëson si mjet lufte.
“Pra nëse Kombeve të Bashkuara iu desh ta kalojë këtë rezolutë në vitin 2008, atëherë duhet një kohë edhe më e gjatë që shoqëria ta pranojë dhunën seksuale si mjet lufte, dhe një krim kundër civilëve – dhe jo si diçka që shihet me turp”, tha Kelmendi.
Medica Gjakova, një nga katër OJQ-të në Kosovë që punon me të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka hapur një dyqan me ushqime artizanale në Dhjetorin e vitit të kaluar, me ndihmën e organizatës GIZ dhe Ministrisë Federale të Zhvillimit Ekonomik të Gjermanisë, dhe shumë donatorë ndërkombëtarë janë përfshirë në mbështetjen e kësaj OJQ-je në Kosovë.
Dyqani shet produkte organike të llojeve të ndryshme, të cilat bëhen nga disa të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Malli përfshin lloje të ndryshme të djathit të freskët, kos, tre lloje të mjaltit, molla, manaferra, boronica, spec të kuq e vezë. Dyqani është pjesë e projektit të Medica Gjakova për ta nxitur fuqizimin ekonomik të të mbijetuarve.
Ky është dyqani i parë i këtij lloji në Kosovë, dhe është një hap i madh drejt ndihmës për gratë që të jenë më të pavarura, dhe të jenë financiarisht më të sigurta. Medica Gjakova është në procesin e regjistrimit të dyqanit si një biznes social dhe që trajnon të mbijetuarit për biznes dhe zhvillim të aftësive.
“Ne e pamë se fuqizimi ekonomik është shumë i rëndësishëm për gratë sepse ato fitojnë më shumë vetë-besim. Dhe kur vjen tek familja, ato janë në gjendje të bëjnë disa të holla për ta, dhe kështu roli i tyre në familje fuqizohet”, tha Mirlinda Sada, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së Medica Gjakova. “Ne po provojmë që të i përgatisim këto gra që të jenë udhëheqëse në ndërmarrësi”, tha Sada.
Qyteti antik i Gjakovës ishte shkatërruar i tëri gjatë luftës. Shumë krime kanë ndodhur në këtë qytet dhe fshatrat rreth tij, sidomos gjatë 78 ditëve të bombardimit të NATO-s gjatë vitit 1999. Kjo fushatë e bombardimit bëri që forcat serbe të presidentit Sllobodan Milloseviq të largohen nga Kosova.
Dyqani artizanal ndodhet në një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit. Dritarja në këtë dyqan shfaqë fotografi të vezëve të freskëta të fshatit, kunguj dhe mollë. Që nga hapja, dyqani vazhdimisht është furnizuar me ushqime pikante dhe produkte tjera, duke falënderuar konsumatorët të cilët janë në kërkim të ushqimit të freskët e tradicional.
Njerëzit po na shkruajnë (mesazhe) neve tek Medica, duke na pyetur se ku mund t’i blejnë ata produktet, dhe pastaj na shkruajnë përsëri se sa të mira janë ato” tha Sada.
Medica Gjakova – OJQ-ja – ka siguruar shumë konsulentë për t’i ndihmuar 400 të mbijetuarve të dhunës seksuale që nga lufta. Edhe pse shumë të mbijetuar vazhdojnë të marrin trajtime dhe nuk punojnë, të tjerët ndihen gati që të vazhdojnë përpara me jetët e tyre.
“Kjo është shumë e rëndësishme sepse konsulentët dhe psikologët po i ndihmojnë këto gra”, tha Sada. “Ta kesh një punë dhe të punosh është një lloj terapie”
Kjo është shumë e vërtetë për të mbijetuarit sikur M.
“(Puna me ushqim) më ndihmon mua me paqen dhe shëndetin tim”, tha M. nga shtëpia e saj në një fshat afër Gjakovës, ku luftime të ashpra ndodhën gjatë luftës. “Koha kalon dhe unë e harroj të kaluarën”.
M. tani kalon ditët e saj duke dëgjuar muzikë nga një radio e vogël në hapësirën e saj punese, në oborrin e shtëpisë së saj. Atje, ajo bën ajvar shtëpie, ushqim tradicional i Ballkanit, dhe turshi, të cilat janë ushqime të njohura në vend. “Këtu ndihem më së miri”, tha M., 57-vjeçare.
“Unë marr shumë komplimente nga klientët e mi, të cilët janë të kënaqur”, tha M. për produktet e saj. “Unë fitoj kënaqësi nga kjo punë – kur e shoh se po bëj mirë për të tjerët. Në të njëjtën kohë më ndihmon edhe me financat e mia. I kam ndihmuar fëmijët e mi me shkollimin e tyre. Dhe e ndihmoj bashkëshortin me familje”.
Ajo fiton diku rreth 275 euro në muaj – e përafërt me pagën mesatare të grave në Kosovë.
Medica Gjakova po ndihmon në hapjen e një dyqani në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, gjatë fundit të muajit prill, gjithashtu edhe një dyqan online.
“Pra kjo është me të vërtetë qershia mbi tortë, sepse ne e dimë se këto gra janë në gjendje të përfitojnë, të fitojnë para, të bëhen më të forta dhe ta kenë një zë në familje”, shtoi si përfundim Sada.