Ish-komandanti i UÇK’së, Sami Lushtaku, nuk do të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai thotë se do të përkrah kryetarin aktual të partisë, Kadri Veselin, edhe për një mandat. Megjithatë ai nuk ka ndërmend ta lëshoj degën e Skenderajt, pasi që i ka përveshur mëngët që të mos i ndahet karriges së të parit edhe për një mandat tjetër.Besnik Veliu
Partia Demokratike e Kosovës është duke kaluar nëpër procesin e brendshëm zgjedhor, që në fund të muajit prill apo në fillim të majit do të kulmojë më konventën e përgjithshme ku do të zgjedhen strukturat qendrore të kësaj partie që aktualisht udhëhiqet nga Kadri Veseli.
E sa herë që vijnë zgjedhjet e brendshme në këtë parti, dega për të cilën jepet vëmendje më e madhe, është ajo që udhëhiqet nga Sami Lushtaku, pasi që nga paslufta qyteti i Skenderajt ka qenë bastion i PDK-së, e kohëve të fundit flitet për një përçarje të mundshme të kësaj dege.
Megjithatë, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, thotë se procesi i brendshëm zgjedhor në këtë degë është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Unë mendoj, edhe pse nuk është detyrë e imja. Është edhe komisioni që vjen nga Prishtina, po që është edhe këtu, deri më tani, ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe gjithkund, prezenca jonë ka qenë shumë e mirëpritur. Nga dy tre minuta, njerëzit me apllauz nuk na lënë të marrim fjalën”, ka thënë Lushtaku në një përgjigje për Gazetën Express
Ai ka treguar se të dielën do të përfundoj procesi zgjedhor nëpër nëndegë, dhe në një periudhë të afërt do të mbahet edhe gara për të parin e degës, post për të cilin Lushtaku thotë se do ta synojë ta marrë përsëri.
“Pra e kemi edhe të shtunën edhe të dielën, dhe do ta përmbyllim këtë proces. Po unë do të kandidoj për kryetar. Unë do të jem aty. Të dielën përmbyllet procesi, po besoj që shpejtë brenda muajit do të përmbyllet procesi në Skenderaj” sqaron Lushtaku.
Ai iu bën thirrje të gjithë të interesuarve që të kandidojnë për kryetar të kësaj dege, dhe thekson se nëse ndodh që rastësisht të humbas, do t’ia zgjas dorën atij që fituesit.
“Unë iu bëj thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë me ardhë e me kandidu për kryetar, janë të mirëseardhur, dhe secili që fiton, rastësisht nëse unë nuk jam fituesi, kam me ia dhanë dorën, dhe unë kam me vazhdu me punu për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë për Express një prej figurave më të rëndësishme të kësaj partie.
I pyetur për raportet me kushëririn e tij Nuredinin, Lushtaku thotë se i ka të mira dhe se kanë respekt të ndërsjellë.
“Jo unë ngatërresa me Nurën skam pas, të jam i sinqertë, asnjëherë, asnjëherë. Unë e kam kushëri atë, dhe mendoj që respekti është i ndërsjellë. Ai vjen pothuajse në çdo takim”, ka treguar Veseli.
Ndërkohë i pyetur nëse ka informacione nëse Nuredin Lushtaku do ta sfidojë për karrigen e të parit të partisë në Skenderaj, Sami Lushtaku thotë se të gjithë të interesuarit për ta marrë atë post janë të mirëseardhur.
“Unë veç iu kam bërë thirrje të gjithë atyre që janë të interesum me kandidu, le të urdhërojnë, janë të mirëseardhur, po kush fiton pak e rëndësishme, për mu e rëndësishme është Partia Demokratike” është shprehur ai.
Ndërkohë sa i përket garës për të parin e PDK’së në qendër, Lushtaku thotë se nuk do të kandidojë, por do të punojë që Kadri Veseli të jetë një kryetar i fuqishëm i partisë.
“Jo, realisht jo. Unë jam ka punoj siç e kam thanë edhe nëpër takimet e tjera, Unë jam ka punoj pikërisht që Kadri Veseli të jetë një kryetar i fuqishëm i Partisë Demokratike të Kosovës. Unë nuk kam as pretendime, as mendime, dhe as dëshirë që unë të marr PDK’në. Unë jam i gatshëm veç ta ndihmoj partinë”, ka përfunduar Sami Lushtaku për Gazetën Express.
Deri tani ende nuk është zyrtarizuar asnjë kandidaturë për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, madje një gjë të tillë ende nuk e ka bërë as Kadri Veseli.
Në një deklaratë të mëparshme, sekretari i PDK-së, Basri Musmurati, kishte thënë se kandidaturat do të bëhen pas përfundimit të procesit nëpër degë. Ai madje shprehte dëshirën që të ketë më shumë se një kandidat për kryetar të partisë.