Në konkursin që ka hapur QKUK për 100 infermier, deri tani kanë aplikuar 900 persona. Infermierët e rinj thonë se nëse vendi i tyre nuk u ofron punë, ata do të detyrohen të ikin në Gjermani.
Petrit Krasniqi është në mesin e mbi 900 infermierëve të cilët kanë aplikuar në konkursin e punës që ka shpallur QKUK për 100 infermier. Në këtë konkurrencë sipas Petritit, gjasat që të pranohet në punë janë shumë të vogla.
“Nga 900 aplikantët, mendoj se kam gjasa 5% për t’u pranuar në këtë punë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Petrit Krasniqi.
Ai shton se në rast se nuk mund të gjejë një vend punë në Kosovë, mundësia e vetme është Gjermania.
“Nëse nuk pranohem këtu, do të pres ndonjë konkurs tjetër ose na pret Gjermania…Ose na siguron shtetin punën ose e sigurojmë ne vet”, shtoi tutje Petrit Krasniqi.
Zëdhënësi i SHSKUK-së, Shpend Fazliu pranon se interesimi për 100 vendet e lira të punës është shumë i madh. Por që pranimi i 100 infermiereve do të jetë një lehtësim i madh për klinikat.
“Është një interesim i jashtëzakonshëm në krahasim me mundësitë dhe vendet e shpallura nga SHSKUK. SHSKUK shpreson që me pranimin e 100 infermierëve të rinj do të zbutet në masë të madhe mungesa e infermierëve në klinikat e QKUK-së dhe të njëjtën kohë do të ndikohet edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, deklaroi Shpend Fazliu. /Periskopi