Basha firmos me aleatët, 10 pikat e marrëveshjes: Jo zgjedhje farsë

Partia Demokratike ka zyrtarizuar sot koalicionin opozitar. Partia e parë me të cilën kryedemokrati Lulzim Basha firmosi marrëveshje ishte Partia Republikane e Fatmir Mediut dhe më pas ajo me Agron Dukën të Partisë Agrare Ambientaliste. Marrëveshja me partitë aleate synon krijimin e koalicionit opozitar. Me koalicionin e PD-së janë bashkuar partitë kryesore të opozitës që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër. Partitë nënshkruese janë LSI, PR, LZHK, PBDNJ, PAA, PDK dhe PDIU.

Në një prononcim për mediat, kreu i PR, Fatmir Mediu u shpreh se marrëveshja synon të pamundësojë zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit pa përmbushur kushtin për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Padyshim që kjo marrëdhënie e opozitës është detyrë qytetare për të penguar zgjedhjet farsë shkatërrimin e opozitarizmit dhe institucionet kushtetuese të këtij vendi. Ne në këtë marrëdhënie, kemi një raport të ri jo vetëm politik por dhe elektoral. Kemi institucionalizimin e opozitarizmit për të mos lejuar zgjedhjet farsë dhe të manipuluara. Është detyra më fisnike e çdo politikani apo force politike të garantojë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur dhe kjo përgjegjësi është kushtetuese dhe qytetare që opozita do i shkojë deri në fund. Zgjedhje do të ketë vetëm në kushte kur qytetarët të mund të votojnë të lirë”, u shpreh Mediu.

Të njëjtin argument përcolli edhe kreu i PAA, Agron Duka. “Morëm angazhim që ne nuk hyjmë në zgjedhjet farse. Jemi të vendosur në rrugën e zgjedhjeve të ndershme dhe asnjë nuk do çedojë në këtë gjë të rëndësishme siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Probleme të tjera në detaje diskutuam edhe problemet e bujqësisë, ku ne morëm angazhimin që në këtë koalicion të jemi këmbëngulës për të plotësuar nevojat që kanë fermerët, u shpreh Duka. Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule tha se opozita ka mbështetje masive nga qytetarët. “Qytetarët të reflektojnë, duhet të largojmë Ramën”, tha ai.

Koalicioni opozitar synon krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe do t’i hapë rrugë drejtësisë për të ndëshkuar ata politikanë që janë faktuar se kanë blerë zgjedhjet.

Pikat e marrëveshjes

1. Krijimin e një koalicioni të bashkuar opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

2. Partitë nënshkruese të këtij koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

3. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:
-kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të përkohshme parlamentare.
-përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.
-Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit , luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
– Krijimin e klimë së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrje politike.
– Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.

4. Në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.

5. Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve (të diktuara nga pakti i Edi Ramës në krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar në të gjithë vendin.

6. Rikonfirmojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë . Familjen Europiane.

7. Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare apo politikat rënduese fiskale. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private. Kjo Platformë e Përbashkët ka për qellim nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim, mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

8. Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

9. Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të çdo cilit dhunohet nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.

10. Angazhohemi për një marrëdhënie elektorale me çdo individi apo parti politike, të identifikuara aktualisht si opozitare, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve.
Koalicioni i Bashkuar Opozitar dhe Qytetar ngarkon Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe e Koalicionit, për realizimin e marrëveshjeve individuale apo në grup për zgjedhjet me të gjitha palët nënshkruese.
Partitë politike të Koalicioni opozitar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme