Ekspertët ndërkombëtar: Në Berlin do të synohet rifillimi i dialogut, duke lënë anash bisedimet për kufijtë

Ekspertët ndërkombëtarë po e shohin Samitin e 29 prillit në Berlin, si një moment të zhbllokimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas profesorit të Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike në Londër (LSE), James Ker-Lindsary, ende është e pa qartë rëndësia e këtij takimi, pasi që dikush po e konsideron si një iniciativë të madhe, ndërsa dikush tjetër po e sheh si diçka jo shumë të rëndësishme.

“Duket qartë që ende nuk dihet se çfarë po planifikohet”, ka thënë Lindsay, transmeton Gazeta Express.

Ai thotë se megjithatë ky takim në kryeqytetin gjerman me ftesë të kancelares Angela Merkel e presidentit francez, Emanuel Makron, do të shërbejë për të ndihmuar rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Duket që përpjekjet do të fokusohen për të bashkuar palët relevante, dhe krijimin e kushteve për të rifilluar bisedimet, duke kërkuar kompromise për problemet të cilat po e vështirësojnë atë, siç është vendosja e taksës”, ka thënë ai për EBË, transmeton Gazeta Express.

Edhe Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave dhe Demokratizimit mendon që fokusi kryesor i takimit të Berlinit, do të jetë rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi pas një periudhe të gjatë bllokade.

“Takimin e 29 prillit e shoh si një përpjekje për të kapërcyer dy problemet, taksën dhe shkëmbimin e territoreve. Do të jetë një takim për të rivendosur negociatat”, thotë Weber.

Ai thotë se ky takim do të jetë gjithashtu  edhe një vend ku do të diskutohet ideja për korrigjim të kufijve, ide për të cilën edhe vetë Weber e sheh si problematike.

Sipas tij “takimi në Berlin do të jetë një përpjekje që Berlini dhe Parisi të kenë një politikë të përbashkët, në  mënyrë që të marrin edhe kontollin e ekipit të Mogherinit, dhe të lëvizin ngadalë drejt rifillimit të negociatave që do të kthejnë dialogun politik nën kornizat e tij origjinale në 2013-2015”.

 Lindsay dhe Weber thonë që në Gjermani do të ketë përpjekje që dialogu të vazhdojë, duke lënë anash diskutimet e deritanishme për korrigjim të kufijve.

Ndërkohë Bodo Weber nuk e fsheh dëshirën e tij që në Berlin të hidhet poshtë një herë e përgjithmonë ideja e propozuar për korrigjim të kufijve.

“Sinqerisht shpresoj ashtu, për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ardhmen e jetës së serbëve që jetojnë në veri dhe jug të Ibrit, për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, dhe të BE-së në përgjithësi”, ka thënë ai, transmeton Gazeta Express.

Weber megjithatë thotë se një ide e tillë ende nuk ka vdekur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme