Gjykata e Apelit gjatë ditës publikoi vendimin për rastin “Drenica I”, ku Kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku lirohet nga akuza për vrasje për të cilën Gjykata Themelore e Mitrovicës e kishe dënuar atë me 12 vjet burg.
Por, Gjykata e Apelit i ka konfirmuar Lushtakut vetëm dënimin prej 7 vjetësh burg për përgjegjësi komanduese.
Ndërkaq pas këtij vendimi, ka reaguar familja e Sami Lushtakut.
“Kemi pritur që Gjykata do ta lirojë Samiun dhe jo vetëm. Komandantët tanë po dënohen pa asnjë dëshmi” është shprehur ai, njofton Klan Kosova.
Lushtaku madje e përshkruajti edhe gjendjen në familje pas vendimit të Apelit për vëllaun e tij i cili njëherit është dhe Kryetar i Komunës së Skënderajt.
“Jemi të shokuar, ky lajm për ne ka shkaktuar paralizë tek e gjithë familja. Si për gratë e shtëpisë tonë ashtu dhe për fëmijët”, ka thënë Ukshin Lushtaku, vëllau i Samiut.
Ai nuk ka hezituar të fajësoj shtetin dhe gjykatën për dënimet që po u bëhen komandantëve të luftës së fundit në Kosovë.
“Nuk kemi gjyq, nuk kemi kryetar. Nuk e di çfarë shteti është ky. Unë nuk e di pse do të dalim ne në zgjedhje tashmë. Sami Lushtaku ka pas 90 % të votave vetëm sa ka qenë në burg. Kë ta zgjedhim kryetar tash”, ka përfunduar Ukshin Lushtaku.