Ambasada e Britanisë së Madhe ka shprehur shqetësimin e vet me ngjarjet e javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim në Twitter, në llogarinë zyrtare të Ambasadës britanike, është thënë se akuzat për krime serioze gjatë kohës së luftës duhet hetuar nga institucionet përgjegjëse, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Me rëndësi është që akuzat për krime serioze nga koha e konfliktit të hetohen nga institucionet përkatëse, mbi të gjitha, duke iu dhënë prioritet drejtësisë dhe përkrahjes për të mbijetuarit, viktimat dhe familjet e tyre, në pajtim me sundimin e ligjit, e jo me oportunizmin politik”, thuhet në deklaratën britanike.
Deklarimi britanik vjen pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku një debat i krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë degradoi pasi deputetja e PDK-së, Flora Brovina, shfaqi para mediave një fotografi për të cilën tha se është e “dhunimit të një shqiptareje nga forcat serbe në Kosovë”. Fotografia shumë shpejt u dëshmua se është skenë nga një film pornografik, ndërsa Brovina u ftua për intervistim nga Prokuroria.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)