Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, ka qenë e pakushtëzuar. Një gjë të tillë e kishte përsëritur presidenti amerikan, George W Bush, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në takimin që kishte pasur në vitin 2007, me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berishën.
Bush kishte deklaruar se populli i Kosovës duhet të tij që SHBA-të mbështesin pavarësinë në mënyrë të fuqishme dhe të prerë.
Ndërkohë derisa në konferencën e përbashkët të tij dhe Berishës, bëheshin pyetje për mundësinë e vonesave në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, Bush kishte thënë se janë duke diskutuar me diplomatë rusë e të BE-së rreth disa mospajtimeve, megjithatë ai kishte thënë se nëse nuk arrihet një gjuhë e përbashkët atëherë “mjaft është mjaft, dhe Kosova është shtet i pavarur”, shkruan Gazeta Express.
“Diplomatët tanë po punojnë me diplomatët rusë dhe të BE-së, për të gjetur një mënyrë, që të gjithë të thonë që, po kjo është një ide e mirë. Por nëse gjatë procesit, arrihet në një pikë ku nuk mund të ketë marrëveshje, atëherë mjaft është mjaft, Kosova do të jetë e pavarur. Ky është qëndrimi im, dhe populli i Kosovës duhet të dijë se ky është një qëndrim i fortë dhe i prerë”, kishte deklaruar atë kohë Bush, shkruan Express.
Presidenti amerikan kishte treguar se një pjesë të madhe të takimit e kishin shpenzuar duke diskutuar rreth Kosovës, duke i kërkuar kështu Berishës që të bisedojë me liderët kosovarë për të ruajtur qetësinë, sepse pavarësia e Kosovës është synimi përfundimtar, dhe se SHBA-të mbështesnin fuqishëm një gjë të tillë.
“Ne gjithashtu kemi folur për Kosovën. Unë jam një mbështetës i fuqishëm i Planit të Ahtisaarit. Kam thënë dje, se koha është tani, sepse njerëzit më pyesnin se kur do të përfundojë, dhe unë iu thash qe koha është tani. E bëra të qartë që në dy gjëra duhet të lëvizim. Dhe e dyta që rezultati përfundimtar do të jetë pavarësia. Kemi shpenzuar shumë kohë duke folur për këtë çështje këtu , dhe kryeministri ka qenë shumë i interesuar për të dëgjuar qëndrimin tim. Ajo se çfarë kam thënë është e qartë për të gjithë. Pavarësia është rezultati që duhet të marrë procesi”, kishte deklaruar presidenti Bush në konferencë të përbashkët për media.
“Unë nxis kryeministrin shqiptar që të punojë së bashku me liderët në Kosovë, që të ruajnë qetësinë përgjatë këtyre hapa final, drejt statusit final të Kosovës”, ka shtuar tutje presidenti .
Bush kishte treguar se për një gjë të tillë kishte marrë edhe zotimin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
“Ai më siguroi që do ta bëjë. Kosovarët shikojnë tek kryeministri dhe presidenti i Shqipërisë lidership, dhe ata janë të gatshëm për ta siguruar një gjë të tillë. Çfarë është e rëndësishme për Kosovën dhe për popullin e Kosovës, është që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, çfarë do të ishte e pranueshme për SHBA-të, që në fund të procesit të ketë pavarësi. Kjo është e rëndësishme tani”, ka potencuar Bush.
Presidenti amerikan kishte thënë se SHBA-ja mbështet pavarësinë e Kosovës dhe se ka mbetur vetëm të caktohen hapat diplomatik për të shkuar drejt finales, Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
“Sa i përket çështjes, rreth pavarësisë, ne e mbështesim plotësisht pavarësinë, dhe tashmë në pyetje janë hapat diplomatik për ta bërë një gjë të tillë. Unë besoj që duhet shtyrë procesin përpara vetëm. Koha është tani. Sekretarja Rice është duke punuar sa më shumë të mundet, për të arritur një marrëveshje. Pavarësia është qëllimi, dhe këtë duhet ta dinë populli i Kosovës”, kishte thënë Bush ndër të tjera.
Ndërkohë rreth mundësisë së shtyrjes së shpalljes së pavarësisë për një periudhë gjashtë mujore, propozim ky që kishte ardhur nga presidenti i Francës, Sarkozy, Berisha kishte deklaruar se në takim e kishte paralajmëruar presidentin Bush për rreziqet që mund të sillte një shtyrje e tillë.
E kryeministri Berisha kishte thënë që projekti për një Kosovë të pavarur është në mendjen dhe zemrën e presidentit amerikan Bush.
“ Ne diskutuam gjerësisht me presidentin për Kosovën. Ajo çfarë unë mund t’iu transmetojë Kosovës, është që projekti i tyre ka mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e plotë të presidentit Bush, dhe në këtë kontekst, sikundër dhe më parë as nuk pres dhe as nuk këshillojë ndonjë lëvizje, përkundrazi gjakftohtësi. Projekti i tyre është plotësisht në mendjen dhe zemrën e presidentit Bush” kishte deklaruar Berisha, duke falënderuar presidentin amerikan për mbështetjen e madhe.